Dhjetori është muaji që çdo veprimtari e ka me shumicë. Shumë përgatitje në shtëpi, shumë vizitorë dhe shumë shpenzime. Shumica prej nesh marrin pushime nga puna ose shkolla. Kishat mbushen me shumë njerëz në ambjentet e tyre. Organizatat e bamirësisë marrin shumë donacione dhe kanë shumë vullnetarë. Këtë muaj hamë dhe pimë shumë dhe për rrjedhojë shtojmë edhe shumë në peshë.

Por sigurisht që ka edhe diçka shumë më të madhedhuratën e jashtëzakonshme të Zotit. Mund ta imagjinojmë Zotin para dy mijë vjetësh, duke parë njerëzit në tokë e duke menduar: Më duket se nuk e kanë kuptuar. Unë u kam dhënë mbrojtje dhe udhëzime për jetën, por shiko sesi janë ngatërruar gjërat! Shih ç’egoizëm e ç’mjerim! Duhet të bëj diçka më tepër për ta… Do u dërgoj Birin Tim. Ai do u tregojë dashurinë Time; Ai do të sakrifikohet për ta.

Dhe kështu, në një fshat të zakonshëm, në rrethana nga më të jashtëzakonshmet, lindi një fëmijë shumë i veçantë. U dëshmua dashuria e Zotit dhe marrëdhënia jonë me Të ndryshoi tërësisht.

Çfarë Shpëtimtari i jashtëzakonshëm: “I Biri është shëmbëlltyra e Zotit të padukshëm, i parëlinduri i çdo krijese.” 1 Ai erdhi për të na paqësuar me Zotin dhe me njerëzit e tjerë. 2 “Sepse Zotit i pëlqeu… dhe përmes tij pajtoi të gjitha me veten e Tij; si ato mbi tokë, si ato mbi qiell, pasi bëri paqe, përmes gjakut të tij të derdhur në kryq.” 3

Apostulli Gjon tregon se si pasuesit e Jezusit u takuan pas kryqëzimit të Tij prapa dyerve të mbyllura të dekurajuar dhe të tronditur. Por mrekullia ndodhi dhe Jezusi i ringjallur u shfaq mes tyre dhe u tha: “Paqja është me ju!” 4 E njëjta paqe premtohet edhe për ne, nëse e ftojmë Atë në zemrën tonë.

Dhjetori mund të jetë një muaj shumë i zënë, por është gjithashtu edhe muaji i ditëlindjes së Jezusit. Mos e lejoni t’ju ikë pa jetuar disa momente të veçanta në praninë e Tij, gjë që e bën këtë periudhë të jashtëzakonshme.

“Falenderoni Zotin për Birin e tij—dhuratën e Tij të çmuar që s’mund të përshkruhet me fjalë.” 5


  1. Kolosianëve 1:15
  2. Shih Luka 2:14.
  3. Kolosianëve 1:19-20
  4. Shih Gjoni 20:26.
  5. 2 Korintasve 9:15