Kur mendoj se si të përmbledhim se kush është Zoti në një frazë të vetme, më vjen në mendje “dashuria e pakushtëzuar”. Natyrisht, Zoti është shumë gjëra dhe nuk mund të kufizohet në një frazë ose term, por siç e dimë nga 1 Gjonit 4:8, Zoti është Dashuri. Kjo është natyra e Tij; është thelbi i Qenies së Tij. Është një nga veçoritë themelore të karakterit të Tij. Ndërsa kjo nuk do të thotë se Atij i pëlqen gjithçka që ne bëjmë, ne jemi mëkatarë, në fund të fundit, dhe as që Ai i anashkalon apo bën një sy qorr ndaj mëkatit apo gabimit tonë, megjithatë Ai i do fëmijët e Tij pa kushte dhe na fal, nëse jemi aq të përulur sa T’ia kërkojmë.

Ia vlen të mendojmë për dashurinë e pakushtëzuar që Zoti ka për ne. Është e lehtë të të marrë ritmi i shpejtë i jetës dhe të harrojë disa nga të vërtetat themelore që na sjellin hare, paqe dhe besim si të krishterë. Natyra e dashurisë së Zotit, pakushtëzimi dhe universaliteti i saj, është me të vërtetë një gjë e mrekullueshme. Shumë shpesh, dashuria që shohim në shoqëri bazohet në vlerën që merr personi tjetër dhe kur kjo vlerë nuk ekziston më ose nuk është më e nevojshme, me të zbehet dhe dashuria. Nuk funksionon kështu me dashurinë e Zotit. Ai e shijon shoqërinë tonë dhe dëshiron të bëhet miku ynë. Dashuria e thellë dhe e qëndrueshme e Zotit e motivon thirrjen e Tij të vazhdueshme për çdo qenie njerëzore që Ai ka krijuar, duke i ftuar ata të krijojnë një marrëdhënie me Të.

Kur mendoj për dashurinë e Jezusit për mua, Ai më merr në një vend mirënjohjeje, përuljeje dhe adhurimi. Kjo më bën të dua të jem më shumë si Jezusi. Më shumë zemërgjerë ndaj të tjerëve. Më bujar. Më të matur. Më shumë të pakushtëzuar në dashurinë time për të tjerët, duke i dashur dhe respektuar ata si qenie njerëzore të krijuara në imazhin e Tij pavarësisht nga rrethanat e tyre. 1 Kjo është e vështirë për t’u bërë, pasi ne jemi njerëz të gabueshëm dhe nuk mund të tregojmë dashuri të palëkundur për të tjerët në të njëjtën mënyrë si na i tregon Zoti neve. Megjithatë, na është bërë thirrje të jemi si Krishti, dhe kjo përfshin të krahasohemi me natyrën e Tij dhe të bëjmë çmos për t’i dhënë dhuratën e dashurisë së Tij të pakushtëzuar njerëzve rreth nesh.

Si të krishterë, ne duhet të përpiqemi të jemi më shumë si Jezusi në çdo mënyrë, që përfshin forcimin e muskujve “dashuri të pakushtëzuar”. Le të shohim tre hapa që mund t’i ndërmarrim për t’u rritur në këtë fushë të jetës sonë shpirtërore.

  1. Filloni me veten.Duke ditur se si Zoti e do plotësisht secilin prej nesh pavarësisht gabimeve, të metave dhe dështimeve tona Ai na mbush me sigurinë se ne jemi me vlerë, të dashur, të adhuruar nga të tjerët, dhe përgjithmonë një nga fëmijët e Perëndisë. Marrë shtysë nga kjo forcë, ne jemi më të aftë t’i duam të tjerët. Nëse nuk e ndjeni se Zoti ju do pa kushte, do të jetë shumë e vështirë për ju t’ia ofroni dashurinë dhe mbështetjen e Tij dikujt tjetër.

Veprimi: Pranoni dashurinë e pakushtëzuar të Zotit për ju. Pranoni kufizimet dhe dobësitë tuaja dhe shijoni premtimin e Zotit se “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime tregohet e plotë në dobësinë tënde.”2

  1. Sa më afër Jezusit të jemi, aq më shumë jemi ne një kanal i dashurisë së Zotit që nëpërmjet nesh rrjedh tek ata që rrethojnë.“Dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona përmes Shpirtit të Shenjtë që na u dha.” 3

Veprimi: Qëndrojini pranë Jezusit duke u lutur dhe duke lexuar vazhdimisht Fjalën e Tij. Kërkoni një mbushje të përtërirë të Shpirtit të Shenjtë.

  1. Kur meditojmë për dashurinë e Zotit, futemi në një vend shpirtërisht të shëndetshëm.Kur banojmë në dashurinë e Zotit dhe sakrificën përfundimtare që Ai bëri duke dërguar Jezusin drejt vdekjes për mëkatet tona, për të na pajtuar me Të, fitojmë motivimin për ta ndjekur më nga afër, për të kapërcyer mëkatin dhe për të lejuar që Shpirti i Tij të na udhëheqë dhe të na fuqizojë për t’i shërbyer Atij. “Ata që jetojnë sipas natyrës njerëzore, e kanë mendjen te gjërat e natyrës njerëzore, por ata që jetojnë sipas Shpirtit të Shenjtë, e kanë mendjen te gjërat e Shpirtit të Shenjtë.” 4

Veprimi: Kaloni më shumë kohë me Jezusin në mënyrë që mendja juaj të jetë më e vendosur “në çka dëshiron Shpirti.” Kjo do t’ju udhëheqë natyrisht që të silleni më shumë si Jezusi. Mua më ndihmon shumë leximi i vazhdueshëm i 1 Korintasve 13:4–8 në ridrejtimin e mendimeve dhe reagimeve të mia, për të qenë më i dashur dhe i udhëhequr nga Shpirti i Perëndisë.

Ne që kemi lindur përsëri, duke pranuar Jezusin si Shpëtimtarin tonë, jemi kaq të bekuar. Na është dhënë kaq shumë: falja e mëkateve tona, jeta e përjetshme dhe drejtimi, ndihma dhe dashuria e pakushtëzuar e Zotit. Ndërsa rritemi në dashurinë e Zotit, ne mund t’i inkurajojmë vëllezërit dhe motrat tona t’i afrohen Zotit dhe të afrojmë të tjerët më pranë Tij. 1 Gjonit 4:7 thotë, “Fort të dashur, le ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria është nga Zoti. Kush ka dashuri, ka lindur nga Zoti dhe e njeh Perëndinë.” Unë dua të kem “lindur nga Zoti.” Dëshiroj me të vërtetë ta njoh Zotin,dhe Fjala e Zotit na thotë se të duam  njëri-tjetrin është një nga rrugët për ta arritur këtë qëllim.


  1. Shih Romakëve 12:10; 1 Pjetrit 2:17.
  2. 2 Korintasve 12:9
  3. Romakëve 5:5
  4. Romakëve 8:5