Kohët e fundit kisha një parandjenjë se kisha nevojë për ndryshim, por nuk mund ta kuptoja se çfarë konretisht. Kisha një ndjenjë që s’më ndahej, por nuk u përpoqa të bëj diçka rreth saj.
Në atë kohë, vajza ime Joana më ftoi në një program të veçantë gjimnastike që përfshinte një sërë veprimtarish si tonifikim, tërheqje, përqëndrim dhe meditim. Zakonisht nuk jam shumë e dhënë pas grupeve të gjimnastikës ndaj në fillim vendosa të mos e provoj. Preferoja t’i bëja ushtrimet vetëm në shtëpi apo në natyrë, t’i jepja biçikletës sime të palëvizshme apo të ecja me programin tim të aerobisë.
Ajo vazhdonte të më nxiste. “Jepi Ma. Duhet të dalësh nga kjo gjëndje monotone. Thjesht provoje dhe do shohësh që do të rigjallërojë.”
“Të dal nga kjo gjëndje monotone … do të rigjallërohem” ishte një frazë që më buçiste në mendje. Ndoshta kishte të drejtë. Pavarësisht dëshirës sime për të ndenjur brenda hapësirës sime të patrazuar, kuptova se kishte ardhur koha për ndryshim.
Kur hyra në palestër, Joana po buzëqeshte dhe më tha: “Oh harrova të të them—ushtrimet bëhen në një sallë të nxehtë për të larguar nga trupi substancat e dëmshme.”
Ooops—një tjetër gjë që s’më pëlqeu. Isha në siklet, por nuk kishte kthim mbrapa.
Sot, 6 muaj pas ditës kur fillova të bëj gjimnastikë dy herë në javë, jam e lumtur që hodha një hap drejt të panjohurës. Ky vendim i vogël në dukje më ka hapur dyert për ide të tjera të reja, miq të rinj dhe një prespektivë të re. Ndihem më mirë fizikisht dhe më e gatshme të provoj sërish diçka të re.
Është e lehtë t’i dorëzohesh pasivitetit. Kjo përvojë më shërbeu për të më rikujtuar se sa e rëndësishme është të jesh pranë Zotit dhe të dëgjosh zërin e Tij të qetë e të urtë për drejtim dhe ndryshim çdo ditë. Jo vetëm vajza ime, por edhe Zoti Vetë ka gjëra të reja për mua! Kuptova se isha bërë pasive, jo vetëm në sjelljen time, por edhe në marrjen e udhëzimeve prej Tij.
Jam e lumtur që dola nga ajo gjëndje monotone dhe dembele ku isha përfshirë dhe tani do përpiqem të shqyrtoj më mirë rutinën time të përditshme herë pas here.