Çfarë mund të më dhuroni Mua, Mbret i mbretërve dhe Zotëria i zotërinjve, Froni i të cilit është Qielli dhe shtroja e këmbëve, Toka? 1 Çfarë mund të më dhuroni Mua, që kam gjithçka? Çfarë do më nevojitej?—Dhurata nga zemra. Çdo dhuratë që vjen nga zemra është një dhuratë që do ta çmoja.

Çdo njeri ka dhunti, talente dhe aftësi unike. Disa janë aftësi të lindura— për shembull një mendje inteligjente, një prirje për një profesion apo punë të caktuara. Disa dhunti janë të dukshme nga ana fizike, siç është aftësia për t’i bërë të tjerët për vete. Por ka edhe dhunti të tjera që nuk vihen re, por mund t’ju çojnë akoma më larg siç janë përulja, optimizmi, mbështetja dhe vetësakrifikimi. Dhe pastaj vjen një nga vetitë më të mira: aftësia për të dhënë dhe marrë dashuri. Kjo është një veti që e ka kushdo dhe është pjesë e krijimit në imazhin e Zotit. Cilatdo qofshin dhuntitë tuaja, ato bashkëveprojnë për t’ju bërë juve të jeni të veçantë për Mua.

Të gjitha këto dhunti ju janë dhënë që të pasuroni jetën tuaj dhe atë të të tjerëve, por ju takon juve të zgjidhni se si dhe sa t’i përdorni. Asgjë nuk do të më bënte më të lumtur sesa t’ju shihja teksa i përdorni për të bërë të tjerët të lumtur. Kur e bëni këtë gjë, ndodh gjëja më e mrekullueshme: dhuntitë dhe talentet tuaja shtohen, ato shumëfishohen dhe dashuria që ju motivoi shpërndahet nga një zemër në tjetrën dhe vjen sërish tek ju.

Çfarë mund të më dhuroni për këto Krishtlindje dhe vitin që vjen? Përdorni atë çfarë keni, atë aftësi që keni, përdoreni në maksimum. Ajo do të ishte dhurata ideale për Mua.


  1. Shih 1 Timoteut 6:15; Isaia 66:1