Libri i Habakukut është një nga librat më të shkurtër në Bibël. Fillon me ankesat e shkrimtarit për problemet e Izraelit, por përfundon me një pohim të bukur të besimit: “Ndonëse fiku nuk do të lulëzojë dhe nuk do të ketë asnjë fryt te hardhitë, ndonëse punimi i ullirit do të jetë zhgënjyes dhe arat nuk do të japin më ushqim, ndonëse kopetë do të zhduken nga vathat dhe nuk do të ketë më qe në stalla, unë do të ngazëllohem tek Zoti! Dhe do të gëzohem te Perëndia i shpëtimit tim!” 1
Gjatë krizës së koronavirusit, reagimi im i parë ishte të më kapte paniku, dyshimi dhe dëshpërimi. Por, duke parë që njerëzit në grupet e mia të lutjeve po postonin këngë lavdërimi dhe fjalë falënderimi, kuptova, si profeti i Dhjatës së Vjetër, që lavdërimi i Zotit përmes kësaj fatkeqësie ishte rruga drejt fitores.
Dëgjova gjithashtu biografinë e James Taylor për familjen e tij të trazuar dhe humbjen e të dashurve. Ai pohon se krijimi i këngëve ishte mënyra e tij e shërimit sa herë që këto ngjarje të trishtueshme vinin në jetën e tij. Ngjashëm me një muzikant tjetër të famshëm, Eric Clapton, i cili pasi u pikëllua për vdekjen e djalit të tij të ri për gati një vit, vendosi të bënte një këngë në kujtim të fëmijës së tij. Ai kompozoi “Lotët në Qiell” (Tears in Heaven), i cili u bë një hit i madh dhe ka qenë një burim ngushëllimi për shumë veta ndër vite!
Pasi u mbyllëm për shkak të COVID-19 për rreth dy muaj, unë dhe djali im vendosëm të shkonim në plazh për të parë perëndimin e diellit. Nuk ishte askush në zonën ku parkuam dhe arritëm të shikonim perëndimin e mrekullueshëm të diellit mbi det, të ecnim në rërën e lagur, të iknim nga dallgët, të flisnim, të bënim fotografi dhe të shijonim një lidhje me natyrën që kishte munguar shumë gjatë.
Teksa po largoheshim, djali im vuri re një çift të moshuarish të ulur në verandën e shtëpisë së tyre në kufi me rërën. “Bukur, apo jo?” tha djali im, të cilit ata iu përgjigjën: “Po, është një shfaqje ndryshe çdo ditë!”
Menjëherë më erdhën në mendje ato vargje të Habakukut dhe ato patën kuptim të përsosur për herë të parë. Zoti është i mirë gjithmonë! “Nga e përjetshme në e përjetshme është dashuria e Zotit.” 2 Në gëzimin e Jezusin dhe mirësinë e Tij, gjejmë ne forcën tonë!