Një nga vargjet e mia të preferuara vjen pikërisht rreth mesit të Biblës: “Është më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t’i kesh besim njeriut.”1 I gjithë psalmi është një shprehje mirënjohjeje, admirimi, gëzimi dhe lëvdimi për Zotin dhe pika kryesore që haset në këtë varg është besnikëria e Zotit.

Kur nuk mund të varemi nga të tjerët edhe familja jonë ose miqtë tanë më të mirë, e dimë se ne gjithmonë mund të varemi nga Zoti. Ai është i i gjithëpranishëm, i gjithëfuqishëm, i gjithëdijshëm dhe vetë shpirti i dashurisë. Ne, nga ana tjetër, jemi të kufizuar, duke mësuar si zakonisht përmes gabimeve tona. Edhe qëllimet tona më të mira shpesh shkojnë keq sepse ne nuk dimë se si të arrijmë atë që kemi vendosur të bëjmë. Dhe, për të qenë të sinqertë, motivet tona shpesh njollosen nga dëshirat tona personale.

Që në tregimet e para të Biblës, lexojmë për një Zot të pranishëm, pjesëmarrës aktiv në dramën njerëzore. Imagjinoni të ecni nëpër Kopshtin e Edenit me Të, 2 ose të takoheni me Të gjatë drekës për të diskutuar çështje familjare, siç bëri Abrahami!3 Ai gjithashtu i udhëhoqi Hebrenjtë nëpër shkretëtirë, 4 i foli Moisiut ballë për ballë,5 dhe e zgjoi fëmijën Samuel natën për t’i dhënë një mesazh profetik.6 Ka kaq shumë histori të ngjashme në të gjithë Dhiatën e Vjetër.

Pastaj e takojmë Jezusin në Ungjill. Ai jeton midis dishepujve të Tij, duke ecur me ta në treg, pranë bregut të detit, duke mësuar me autoritet 7 dhe dashuri.8 Edhe në kryq, Ai demonstron karakterin e Tij hyjnor dhe pamjaftueshmërinë tonë.9

Kur u pyet: “Kush do të shpëtojë?” Jezusi u përgjigj: “Për njerëzit kjo është e pamundur, por për Perëndinë çdo gjë është e mundur.”10

Është e qartë se edhe në momentet tona më të mira dhe më të ndritshme, është akoma më mirë të kesh besim tek Zoti sesa të kesh besim tek njeriu.

Zoti e dinte këtë që nga fillimi. Lajmi i mirë është se Ai ende ecën me ne sot. Në fakt, Ai shpreson të vijë dhe të jetojë me ju! Jezusi tha: “Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai.”11

Besojini Atij mbi të gjitha opsionet e tjera dhe do të kuptoni rëndësinë e së vërtetës të shprehur në Psalmin 118:8.


  1. Psalmet 118:8
  2. Shih Zanafilla 3:8–10
  3. Shih Zanafilla 18.
  4. Shih Eksodi 13:21.
  5. Shih Eksodi 33:11.
  6. Shih 1 Samuelit 3.
  7. Shih Mateu 7:29.
  8. Shih Gjoni 13:1.
  9. Shih Mateu 27:46–54.
  10. Mateu 19:26
  11. Gjoni 14:23