Edhe pse do të na pëlqente, jeta nuk është gjithmonë aq e bukur sa do të donim, dhe ndonjëherë duhet të përballemi me tronditjet e ngjarjeve të vështira. Ndonjëherë, kur durimi dhe besimi po na vihet në provë, kur të gjitha përpjekjet për të bërë gjënë e duhur kanë përfunduar të zhytyra në baltën e problemeve dhe vështirësive, duket e pamundur të gjejmë një lloj vlere në atë që bëjmë.
Në këto rrethana është e lehtë të mendosh se ditët tona janë të vështira për t’u kaluar siç është e vështirë të çash përmes një grope me baltë, por mund të gjejmë kurajo dhe motivim po të kujtojmë se nuk jemi vetëm. Dashuria dhe fuqia e Zotit shfaqen si në kohë të këqija ashtu edhe në të mira. Funksionojnë edhe në baltë, jo vetëm në ndërtesa të bukura.
Kujtoni apostullin Pal, një njeri i cili u pa nga shumë Kristianë, si shembull i besimit të palëkundur përpara përndjekjeve dhe vështirësive të vazhdueshme. Megjithatë, edhe pse qëndroi zakonisht pozitiv para problemeve, edhe ai kishte momentet e tij të “baltës”.
Menjëherë pas takimit me Jezusin dhe ndryshimit që pësoi në Damask, Pali u fut në botën e një dishepulli. Ai iu përkushtua plotësisht, vetëm për të zbuluar se ndryshimi i shpirtit të tij i kishte zemëruar aq shumë kolegët e tij të mëparshëm Hebrenj, sa që ata kishin planifikuar ta vrisnin para së të largohej nga qyteti. Ai nuk ishte i besuar as për vëllezërit e tij të rinj në Jezu Krisht. Përndjekja që u kishte bërë më parë Kristianëve ngjallte te ta dyshim për vërtetësinë e konvertimit të tij.
Kur u braktis dhe u transportua për në qytetin e tij Tarsus, [1. Shih veprat e Apostujve 9:22-31.] do të ketë qenë shumë e vështirë për Palin të shmangte ndjenjën e dështimit. Por nuk u dorëzua, dhe në kohën e duhur, Zoti dërgoi Barnabasin me vizionin për të përhapur ungjillin në Azinë e vogël dhe gjatë gjithë Perandorisë Romake.[2. Shih Aktet 11:25-26; 13:1-3.]
Është e vërtetë që shumë njerëz të mëdhenj të besimit, kanë pasur momentet e të qenurit “shumë lart,” si Jozefi me Faraonin, apo Elija që zbriti zjarr nga Qielli, apo Danieli në strofullën e luanit, por në pjesën më të madhe të kohës ata ishin poshtë, në baltë me gjithë të tjerët, sepse atje, besimi i tyre do të tregohej qartë dhe do të forcohej.
Për një moment, Jozefi ndodhej në krye të botës; [3. Shih Zanafilla 37:9-11.] pastaj, e pa veten duke u shitur si skllav në tokë të huaj.[4. Shih Zanafilla 37:28.] Më pas, punoi shumë derisa filloi të kujdesej për familjen e një prej figurave më të spikatura të Egjiptit. Por sërish, suksesi i tij nuk zgjati shumë, pasi u bë viktima e bashkëshortes së këtij njeriu, e cila e futi në burg sepse ai i qëndroi besnik bindjeve të tij.[5. Shih Zanafilla 39.]
Duhet të jetë ndjerë fatkeq, por ai vazhdonte sërish me atë pak që i kishte mbetur, madje edhe duke interpretuar ëndrrat për disa shpirtra pa fat që ishin poshtë në “baltën” e burgut. Kjo ndodhi dy vjet para se të lirohej dhe të vendosej në pozicionin që Zoti kishte bërë gati për të, njeriu i dytë më i rëndësishëm në gjithë Egjiptin. [6. Shih Zanafilla 40-41.]
Pastaj vjen Moisiu. Zoti i dha shansin Moisiut të rritej në kopshtin e Faraonit; edhe pse i ri, i fortë dhe me besim te vetja, Moisiu nuk ishte gati të bëhej mjeti që Zoti do të përdorte për të liruar njerëzit e Tij.[7. Shih Eksodi 2:10-15.] Zoti duhet ta vendoste në baltën e Midianit, të luftonte fort për 40 vjet në një vend të shkretë si një i dëbuar, derisa ai të ishte gati që Zoti të përmbushte planin e Tij përmes Moisiut.[8. Shih veprat e Apostujve 7:29-30.]
Po Jezusi? Me siguri edhe ai kishte kaluar momente “balte”! Madje ai tha: “Dhelprat kanë strofulla dhe zogjtë fole, por Biri i Njeriut nuk ka asnjë vend ku ta fusë kokën.”[9. Mateu 8:20]
Nëse për ndonjë moment ju është dukur se gjërat në jetë ju kanë ecur aq keq sa Zoti nuk mund t’ju shpëtonte, thjesht kujtoni atë ç’ka tha Mbreti David. Ai kishte bërë disa gjëra të tmerrshme, por prapë e dinte se nuk do të braktisej kurrë nga dashuria hyjnore që e kishte rrethuar atë në çdo moment.
“Ku mund të shkoj larg prej Frymës tënde? Ku të iki larg prej pranisë sate? Nëse ngjitem në qiell, Ti atje je; nëse zbres në nëntokë, edhe atje je. Po t’i marr krahët e agimit e të shkoj të banoj në skajin e detit, edhe atje dora jote do të më përcjellë, do të më mbajë e djathta jote. Po të them: ‘Me siguri errësira do të më mbulojë, dhe drita rreth meje do bëhet natë,’ por as terri s’është aspak terr për ty; edhe nata është si dritë e ndritshme, sepse për ty errësira është porsi drita.”[10. Psalmi 139:7-12]
Jezusi punon në secilin prej nesh në mënyra të ndryshme, sepse dy njerëz apo dy jetë nuk janë kurrë njëlloj. Shembujt e Zotit për ata që ai i quan të mëdhenj kishin të gjithë diçka të përbashkët: ishin të vendosur të kishin besim edhe në momentet ku nuk mund të shihnin ndonjë plan të Zotit për ta. Çfarëdo që të ketë rezervuar për ju e tashmja apo e ardhmja, kujtoni që Ai ju ka premtuar që do ta kaloni bashkë duke ju qendruar pranë në mbretëri apo në baltë.