Së fundmi lexova një artikull nga një trajner jete që fliste për mitin e një “jete të balancuar.” Ai shpjegonte se pritshmëria që ne të mund të ekuilibrojmë në mënyrë perfekte gjumin, punën, lojën, ushtrimet fizike, edukimin, marrëdhëniet, kohën cilësore me fëmijët dhe gjithçka tjetër që sjell dita, është shumë larg realitetit, madje, është një pritshmëri absurde dhe e pamundur! Kur e lexova këtë, më erdhi një ndriçim i brendshëm dhe kuptova arsyen pse gjithmonë kisha dështuar në përpjekjen për të arritur këtë “jetë të balancuar.” Sepse, në të vërtetë, ajo nuk ekziston!
E vërteta është se balanca nuk nënkupton të ndash në mënyrë të barabartë 24 orët e ditës për çdo aspekt të jetës. Nuk është thjesht një ndarje e rreptë e kohës mes punës, pushimit dhe familjes. Balanca është diçka më dinamike dhe kërkon qëllimshmëri, shtoj pak më shumë nga njëra gjë, heq diçka tjetër, në mënyrë që nevojat të plotësohen dhe gjërat të mos dalin jashtë kontrollit. Dhe kjo nuk është e njëjtë për të gjithë; madje, ndryshon edhe nga një periudhë e jetës në tjetrën.
Për mua, kuptova se urtësia për të ditur se kur dhe çfarë të prioritizoj nuk është diçka që do ta kem ndonjëherë plotësisht të qartë. Kjo më mban gjithmonë të varur te Jezusi. Unë nuk do ta kem kurrë jetën time aq të rregulluar dhe të organizuar sa të mos kem më nevojë për udhëzimin e Tij. Kjo nuk do të thotë që nuk ka nevojë për strukturë! Sigurisht që punoj me orar të caktuar, faturat duhen paguar me patjetër dhe kam disa prioritete të qarta që nuk janë të diskutueshme:
- Besimi – Koha me Jezusin, lejimi i Fjalës së Zotit të udhëheqë jetën time
- Familja – Martesa dhe fëmijët
- Financat – Puna dhe mbajtja në këmbë e gjithçkaje
- Shëndeti – Gjumi, ushtrimet fizike dhe ushqimi i mirë
- Shoqëria – Komuniteti rreth nesh, miqtë, fqinjët, njerëzit e kishës dhe kujdesi për ta
- Koha për argëtim – Kjo mund të jetë diçka e madhe apo e vogël, por duhet të marrë vëmendjen e saj gjithashtu
Qëkur fëmijët e mi ishin të vegjël, gjithmonë e kam pyetur veten: Cilët janë elementët më të rëndësishëm? Dhe si duket një situatë kur po i bëjmë gjërat siç duhet?
Për shembull, kur kemi qenë shumë të ngarkuar me punë ose duke bërë një ndryshim të madh si një shpërngulje, analizoj gjithmonë: (A janë fëmijët e lumtur? A ndihen të sigurt dhe të qetë?) Nëse përgjigjja është po, atëherë e di se jemi mirë. Por nëse është jo, atëherë është koha për të rishikuar prioritetet.
E njëjta gjë vlen edhe për martesën time. Nëse burri im dhe unë jemi shumë të zënë dhe nuk po kalojmë shumë kohë së bashku, pyes veten: (A jemi akoma të afërt dhe të lumtur me njëri-tjetrin?) Nëse është po, atëherë gjithçka në rregull. Nëse është jo, atëherë diçka duhet të ndryshojë.
E njëjta analizë vlen edhe për marrëdhënien time me Zotin. Nëse ndihem e qetë dhe Fjala e Tij është akoma duke folur në zemrën time, atëherë e di që lidhja ime me Jezusin është e fortë. Por nëse shqetësimet dhe stresi janë bërë më të zhurmshëm se paqja që Ai premton, atëherë di që kam nevojë të rishikoj prioritetet e mia.
Nuk po përpiqem të shkruaj një libër këtu. Thjesht dua të them diçka të rëndësishme: Balanca nuk është qëllimi i vërtetë. Qëllimi është të bëjmë atë që është e duhur në momentin e duhur. Dhe kjo kërkon një ndjeshmëri më të thellë ndaj prioriteteve tona.
Jezusi është shembulli më i mirë për këtë. Nëse shikoni Ungjijtë, do të shihni se Ai nuk fokusohej në të njëjtat gjëra çdo ditë. Ndonjëherë predikonte dhe shëronte turma të mëdha. Pastaj shkonte vetëm për t’u lutur. Ndonjëherë përqendrohej vetëm tek një person i vetëm. Bariu i mirë qëndronte aty ku ishte nevoja më e madhe. Jezusi nuk kishte një tabelë Excel me një listë të rreptë detyrash. Ai thjesht përmbushte nevojat që i vinin përpara, përqendrohej në detyrën e momentit dhe kishte besim te Ati për gjithçka që i duhej ditë pas dite.
E ndoshta pikërisht kjo është mënyra si duhet ta shohim edhe ne jetën tonë.