Në kapitullin 15 të Lukës, Jezusi tregoi historinë vijuese:

Ishte një burrë që kishte dy djem. Dhe më i vogli prej tyre i tha babait të tij: “Atë, më jep pjesën e pasurisë që më takon”. Dhe ai e ndau pasurinë e tij midis tyre. Jo shumë ditë më vonë, djali i vogël mblodhi gjithçka që kishte dhe bëri një udhëtim në një vend të largët. 1

Kjo kërkesë e jashtëzakonshme nga djali i vogël do t’i kishte tronditur dhe skandalizuar dëgjuesit fillestarë. Djali kërkonte të merrte pjesën e trashëgimisë që normalisht do ta merrte pas vdekjes së babait të tij, ndërsa babai i tij ishte akoma gjallë dhe i shëndetshëm. Dëgjuesit me shumë gjasë do të kishin pritur që fjalët e ardhshme të Jezusit të tregonin se si babai shpërtheu nga zemërimi dhe disiplinoi djalin e tij.

Në vend të kësaj, babai e pranoi kërkesën në heshtje dhe e ndau pasurinë midis bijve të tij. Djali i vogël vendosi ta shiste trashëgiminë e tij për para të thata, duke mos e vrarë mendjen për të ardhmen e babait të tij dhe duke e privuar atë nga një pjesë e frutave të tokës, gjatë pleqërisë së tij.

Vëllai i madh, i cili gjithashtu mori pjesën e tij të trashëgimisë në këtë kohë, mori në pronësi tokën e mbetur, por jo kontrollin e saj. Ndërsa historia vazhdon, bëhet e qartë se babai ishte ende kreu i familjes dhe i fermës.

Fatkeqësitë e djalit të vogël

Pastaj Jezusi përshkroi atë që i ndodhi djalit të vogël: Djali i vogël mblodhi gjithçka që kishte dhe bëri një udhëtim në një vend të largët, dhe atje ai e shpenzoi pasurinë e tij në një jetë moskokëçarëse. Dhe kur ai shpenzoi gjithçka, atë vend e kaploi një uri e madhe dhe ai filloi të kishte nevoja të mëdha.2

Kur u largua nga shtëpia e babait të tij, djali i vogël vazhdoi një jetë plot teka dhe të çrregullt, duke rezultuar në humbjen e gjithçkaje që kishte. Pasi ai shpenzoi të gjitha fondet e tij, e kaploi uria e madhe.

Kështu ai shkoi dhe u punësua te një prej qytetarëve të atij vendi, i cili e dërgonte në fushat e tij për të ushqyer derrat. Dhe ai dëshironte të ushqehej me bishtajat që hanin derrat, por askush nuk i dha asgjë.3

Dëgjuesit fillestarë do ta kishin kuptuar sa poshtë kishte rënë ai nga puna e tij për të ushqyer derrat. Derrat konsideroheshin të papastër sipas ligjit, dhe më vonë shkrimet hebraike deklaruan se kushdo që rriste derra ishte i mallkuar. Për t’i bërë gjërat akoma më keq, ai ishte i uritur dhe ziliqar për ushqimin e derrave. Pikërisht, në këtë pikë që ai “erdhi në vete”.

Por kur erdhi në vete, ai tha: “Sa nga shërbëtorët e babait tim kanë mjaftueshëm bukë, por unë po vdes këtu nga uria! Do të çohem dhe do të shkoj tek im atë dhe do t’i them: ‘Atë, mëkatova para qiellit dhe para teje; Nuk jam më i denjë të quhem djali yt. Më trajto si një nga shërbëtorët e tu. ‘”4

Djali vendosi të kthehej tek babai i tij për t’i rrëfyer se kishte gabuar dhe kishte mëkatuar. Duke kujtuar se “shërbëtorët” e babait të tij kishin mjaftueshëm për të ngrënë, ai planifikoi t’i kërkonte babait të tij që ta punësonte atë si shërbëtor.

Kthimi në shtëpi

Ai u ngrit dhe shkoi tek i ati. Por ndërsa ai ishte ende larg, babai i tij e pa dhe ndjeu dhembshuri. Vrapoi drejt tij, e përqafoi dhe e puthi. 5

Djali e kishte turpëruar babanë e tij para gjithë fshatit. Do të ishte gjëja e duhur dhe e drejtë që babai ta linte djalin të vinte tek ai, duke ecur nëpër fshat, duke u përballur me vështrimet qortuese të komunitetit. Por në vend të kësaj, babai, plot dhembshuri, vrapoi drejt tij, diçka që do të konsiderohej e padenjë, veçanërisht pasi për ta bërë këtë, ai duhet të ngrinte mantelin e tij dhe të ekspozonte këmbët. Veprimi i parë i babait ishte të përqafonte dhe puthte të birin, para se madje të dëgjonte ç’do t’i thoshte.

Dhe i biri i tha: “At, kam mëkatuar para Zotit dhe para teje. Nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Por babai u tha shërbëtorëve të tij: “Sillni shpejt mantelin më të mirë dhe vishjani, vërini një unazë në dorë dhe vishini këpucët”.6

Djali fillon fjalimin që  kishte praktikuar, por babai nuk e lë ta përfundojë. Ai urdhëron shërbëtorët e tij që ta veshin djalin me rrobën më të mirë, t’i vendosin një unazë në gisht dhe këpucë në këmbë.

Përveç përcjelljes së një mesazhi për shërbëtorët dhe komunitetin, pati një mesazh të fortë edhe për të birin. Ky mesazh ishte falja. Mirëseardhja e babait ishte një veprim i hirit të pamerituar. Asgjë që djali mund të bënte, nuk do ta kompensonte të kaluarën e tij. Babai nuk i donte paratë e humbura; donte djalin e tij.

“Nxirrni jashtë viçin e majmur dhe thereni; të hamë dhe të gëzohemi”.7

Therrja e një kafshe kaq të madhe për një gosti nënkuptonte se i gjithë fshati ishte i ftuar në festë. Dhe babai tha arsyen e gëzimit të tij, që duhej festuar:

“Sepse ky biri im kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri”. Dhe ata filluan të festojnë.8

Djali i madh

Djali i tij i madh ishte në fushë, dhe kur erdhi dhe iu afrua shtëpisë, dëgjoi muzikë dhe vallëzim. Atëherë thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’po ndodhte. Dhe ai iu përgjigj: “Erdhi vëllai yt dhe babai therri viçin e majmur, që u kthye shëndoshë e mirë”. Por u zemërua dhe refuzoi të hynte brenda.9

Në fund të ditës së punës, pasi kishin filluar festimet, djali i madh u kthye nga fusha. Kur dëgjoi rrethanat e mirëseardhjes së vëllait të tij të vogël, u tërbua fare. Zakoni ishte që në një festë të tillë djali i madh të ishte mikpritës, së bashku me babanë e tij, por vëllai i madh prish protokollin dhe publikisht refuzon të hyjë në shtëpi dhe në festime, dhe më pas debaton me babanë e tij në publik:

Babai i tij doli dhe iu përgjërua, por ai iu përgjigj të atit dhe tha: “Ja, u bënë kaq vite që unë të shërbej dhe kurrë s’kam shkelur asnjë nga urdhrat e tu, e megjithatë kurrë s’më dhe një kec për të bërë një festë me miqtë e mi. Por, kur u kthye ky djali yt, që prishi pasurinë tënde me prostituta, ti there për të viçin e majmur”.10

Përgjigja e djalit të madh është e mbushur me mosrespekt, hidhërim, inat, por si reagon babai? Pikërisht njësoj siç reagoi me djalin tjetër të humbur, me dashuri, mirësi dhe mëshirë. Atëherë i ati i tha: “O bir, ti je gjithmonë me mua, dhe çdo gjë që kam është jotja.”11

Të dy djemtë kanë një marrëdhënie të prishur me babanë e tyre, të cilin ai dëshiron ta rregullojë. Të dy djemtë kanë nevojë për pajtim dhe rindërtim të marrëdhënies me babanë e tyre. Të dy djemtë marrin të njëjtën dashuri nga babai.

Fjalia e fundit e babait shpreh gëzimin e tij që djali i vogël që kishte humbur tani është gjetur. “Por duhet të festojmë dhe të gëzohemi, sepse ky vëllai yt kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri”.12 Lihet në imagjinatën e dëgjuesit të kuptohej nëse vëllai i madh i cili gjithashtu humbi do të gjendej dhe kthehej, pasi nuk na thuhet përgjigja e djalit të madh.

Kjo histori na tregon diçka të bukur për Zotin, Atin tonë. Ai është plot dhembshuri, hir, dashuri dhe mëshirë. Ashtu si babai në histori, Ai na lejon të marrim vendimet tona dhe pa marrë parasysh cilat janë ato vendime dhe kudo që mund të na çojnë, Ai na do. Ai dëshiron që secili që është larguar, i cili ka humbur, i cili ka një marrëdhënie të prishur me Të, të kthehet në shtëpi. Ai i pret dhe i mirëpret me krahëhapur, me gëzim dhe festë të madhe. Ai fal, Ai dashuron, Ai mirëpret.

Ati e do thellësisht çdo person. Jezusi dha jetën e Tij për çdo person. Zoti është i hirshëm, plot dashuri dhe mëshirë, dhe Ai na ka thirrur, si përfaqësuesit e Tij, të bëjmë siç bëri Jezusi, të duam të padashurit dhe të kërkojmë ata që kanë humbur, të ndihmojmë në rivendosjen e tyre dhe të përgjigjemi me gëzim dhe festë kur gjendet çka ka humbur.


  1. Luka 15: 11–13. Të gjitha shkrimet e shenjta janë nga ESV (Versioni Standard Anglez).
  2. Luka 15: 13–14
  3. Luka 15:15–16
  4. Luka 15:17–19
  5. Luka 15:20
  6. Luka 15:21–22
  7. Luka 15:23
  8. Luka 15:24
  9. Luka 15:25–28
  10. Luka 15:28–30
  11. Luka 15:31
  12. Luka 15:32