Kohët e fundit, po lexoja historikun e Krishtlindjeve dhe se nga burojnë traditat tona të ndryshme të Krishtlindjeve, duke përfshirë edhe ato që i kanë fillesat tek ritualet apo festivalet pagane. Më bëri përshtypje një nga faktet më të rëndësishme rreth Jezusit. Më bëri përshtypje se si Ai na pranon të gjithëve ashtu siç jemi.

Jezusi thotë se Ai nuk do të refuzojë askënd që vjen tek Ai. 1 Rrethi i Tij shoqëror nuk është një grup me rregulla strikte. Në fakt, Ai bën shumë më tepër sesa thjesht të na pranojë; Ai shpesh, na përshtatet neve dhe nevojave tona.

Është interesante të shohësh sesi Jezusi e bëri këtë gjatë shërbesës së Tij mbi tokë. Kur Ai ishte me Nikodemin—një anëtar i mirëarsimuar e i lartë i klerit me një formim të mirë teologjik—Jezusi foli në një mënyrë që atij i rriti interesin dhe i ngacmoi inteligjencën. 2 Kur Jezusi ishte me fëmijët, i merrte në krahët e Tij dhe fliste përzemërsisht me ta. 3 Kur ishte në shoqërinë e taksambledhësve dhe mëkatarëve, Ai shkoi dhe hëngri, piu e qeshi me ta në shtëpitë e tyre; 4 Disa herë të tjera, pasi i dha mësim një turme të madhe njerëzish, Ai e dinte se shqetësimi më i madh për ta ishte uria e tyre, ndaj dhe i ushqeu ata. 5 Qoftë kur ndodhej me turmat, qoftë edhe vetëm për vetëm me dikë, Jezusi bëri gjithçka mundi për të ndihmuar njerëzit dhe për t’u treguar atyre dashurinë e Tij.

Kështu e jetoi Jezusi gjithë jetën e Tij. Ai mori formën e një qenie njerëzore dhe zbriti në tokë mes nesh. Ai u ballafaqua me jetën e përditshme, me urinë dhe lodhjen. Me siguri është ndjerë i dekurajuar herë pas here, por Ai provoi sfidat tona njerëzore në mënyrë që të ndihej njëlloj si ne dhe të kuptonte gjërat që ishin të rëndësishme për ne.

Ai mund t’i marrë gjërat tuaja që i keni shumë për zemër, siç janë traditat që ju ndiqni gjatë Krishtlindjeve—dhe t’u japë atyre një kuptim më të madh.

Këtë vit, ndërsa shijoni festën e Krishtlindjeve, ndërsa hapni dhuratat, ndërsa këndoni këngët dhe hani ushqim të mirë, lejoni këto gjëra t’ju kujtojnë sesa shumë ju do Jezusi. Pavarësisht se nga e kanë origjinën këto tradita, përdorini për të kujtuar dhuratën e madhe që Jezusi na bëri gjithsecilit prej nesh duke ardhur në tokë, duke jetuar dhe duke vdekur për ne.


  1. Shih Gjoni 6:37.
  2. Shih Gjoni 3:1-21.
  3. Shih Marku 10:13-16.
  4. Shih Mateu 9:10.
  5. Shih Mateu 14:13-21; Marku 6:30-44; Luka 9:10-17; Gjoni 6:1-15.