Lexova dikur që një baba i mirë na përgatit për marrëdhënien tonë me Atin qiellor, Zotin.

Im atë mund të mos e dijë, por një nga gjërat që i dha formë jetës sime ishte një bisedë që kemi pasur unë dhe ai, të ulur mbi një kodër teksa shikonim shtëpinë tonë, verën kur unë mbusha 18 vjeç. Ai me shumë gjasa, as që e mban mend, një bisedë aq e thjesht dhe përsëri aq tipike për të dhe mënyrën e tij të zgjuar dhe të dashur të udhëheqjes pa e treguar haptazi që po më jepte një këshillë.

Folëm për gjithçka atë ditë dhe e gjeta veten teksa po i tregoja për një shok, problemet që po hasnim dhe deri ku mund të na çonte miqësia jonë. S’e mbaj mend si ia shpjegova të gjithën, por e mbaj mend se sa çuditshëm u ndjeva. Pasi e shpreha gjithçka, e pashë dhe e pyeta e përvajtueshme, “Ç’të bëj tani, babi? Më trego ç’të bëj.”

Është një vendim i vështirë,” filloi ai, “por ti je 18. Je e rritur tani. Nuk do të të tregoj unë ç’të bësh, sepse ti e di tashmë ç’duhet të bësh.”

E pashë me një vështrim të zbrazët. Jo, nuk isha ende e rritur, ose të paktën, nuk ndihesha e tillë. Isha vetëm 18 vjeçe dhe s’ia kisha fare haberin. Pa prit pak, po, ia kisha. Në atë situatë, e dija fiks ç’duhet të bëja. Jo se doja ta bëja, por e dija që duhej bërë. Dhe përfundova duke bërë gjënë e duhur, sepse im atë besoi se mundesha, se kisha kapacitetin për ta bërë atë.

Jo çdo vendim që kam marrë nga ai moment ka qene i duhuri, por ajo bisedë me ndihmoi të shkoja drejt rrugës së pavarësisë dhe më bëri të besoja që do të dilja me sukses në jetë. Të dija që dikush kishte besim tek unë, më ndihmoi më vonë, kur u përballa me vendimmarrjen e vendimeve akoma më të vështira.

Babi gjithmonë ma ka bërë të qartë jo vetëm që ka besim tek unë, por edhe që më do pa kushte. Pavarësisht ç’zgjedhje bëj, unë do të jem gjithmonë vajza e tij dhe do ta kem gjithmonë në dashurinë e tij. Nga të gjitha dhuratat që kam marrë nga ai, i jam më shumë mirënjohëse për këtë.

M’u desh pak kohë, por si përfundim, e kuptova që dashuria dhe besimi i tim ati pasqyron dashurinë dhe besimin e Zotit.

Zoti na mëson të ecim dhe më pas, na lë të vrapojmë vetë, duke besuar se mund t’ia dalim mbanë, por duke qenë gjithmonë pranë, kur të rrëzohemi apo të na duhet ndihmë.  “Është një person i veçantë,” na thotë, “ai që mund të bëjë diçka të mrekullueshme për Mua dhe të tjerët.” Dhe më pas, kur e djallosim punën, siç e bëjmë shpesh, Ai pëshpërit, “Çfarëdo që të bësh, unë do të të dua gjithmonë,” dhe Ai na ndihmon të shkojmë më mirë.

Faleminderit, babi, për dhuratën e dashurisë së Zotit në mish dhe kocka!