Disa njerëz nuk mund ta kuptojunë se si Zoti mund të ketë zbritur në tokë dhe të jetë kthyer në një qënie njerëzore. Mua, nuk më çudit aspak. E kam shumë të lehtë ta besoj sepse shoh Jezusin që lind në zemrat e njerëzve çdo ditë. Ai vjen, jeton në zemrat e njerëzve dhe ndryshon jetët e tyre. Për mua, kjo është një mrekulli shumë e madhe.

Fjala e Zotit thotë se “e mrekullueshme” është pjesë e një prej titujve të Jezusit. “Një fëmijë ka lindur për ne. Na është dhuruar një bir, që do të jetë drejtuesi ynë. Emrat e Tij do të jenë, I mrekullueshëm, Këshilltar, Zot i Fuqishëm, At i Përjetshëm dhe Princi i Paqes.” 1

Ai ishte i mrekullueshëm në jetë. Ai përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtetin e djallit. 2Ai ishte i mrekullueshëm në vdekjen e Tij: sepse Ai vdiq për mua dhe për ty dhe që ne të mund të jetojmë në përjetësi. 3 Ai ishte i mrekullueshëm në ringjalljen e Tij: sepse Ai u ngjall prej të vdekurve, edhe ne do të ringjallemi. 4 Tani Ai është i mrekullueshëm edhe në jetën e Tij pas vdekjes, sepse Ai jeton për të ndërmjetësuar për ne. 5

Por nuk mjafton fakti që Jezusi, Mbreti i mbretërve lindi në Betlehem nën yllin që lajmëroi ardhjen e Tij; Ai duhet të lindë në zemrat tona.

Ndoshta mund ta keni parë pikturën e famshme nga William Holman Hunt në të cilën Jezusi paraqitet duke qëndruar para një dere të mbyllur me një kandil në dorë. Thuhet se pak kohë pasi Hunt e përfundoi atë që më vonë u bë vepra e tij më e famshme, dikush i tha se kishte bërë një gabim; dera nuk kishte dorezë.

“Nuk kam bërë gabim,”—u shpreh Hunt. “Ajo derë është dera e zemrës dhe mund të hapet vetëm nga brenda.”

Jezusi nuk mund të hyjë kurrë në një derë që nuk është e hapur nga brenda. Fjala e Zotit thotë: “Të gjithë atyre që besuan tek Ai dhe që e pranuan, Ai u dha të drejtën të bëheshin fëmijët e Zotit.” 6 Mirëpriteni në zemrat tuaja. Ai do ju ndryshojë jetën!

  1. Shih Isaia 9:6.
  2. Shih Veprat 10:38
  3. Shih Romakëve 6:23; 1 e Pjetrit 2:24.
  4. Shih 1 e Korintasve 15:20-21.
  5. Shih Hebrenjve 7:25.
  6. Gjoni 1:12