Bibla na thotë se “Perëndia është Shpirt” dhe “Perëndia është dashuri” (Gjoni 4:24; 1 Gjonit 4:8). Si Krijuesi i madh, Ai krijoi gjithçka, duke përfshirë ty, mua, këtë botë të bukur dhe gjithë universin. Për të treguar dashurinë e Tij dhe për të na ndihmuar ta kuptojmë Atë më mirë, Perëndia dërgoi Birin e Tij, Jezu Krishtin, në tokë si njeri.
Edhe pse Jezusi ishte i destinuar të ishte Mbreti i mbretërve, Ai nuk lindi në një pallat lluksoz. Ai hyri në këtë botë në dyshemenë e ndyrë të një hambari dhe u shtri të flinte në një koritë për kafshët (Luka 2:7). Ardhja e tij nuk u prit nga të pasurit dhe të fuqishmit. Në vend të tyre, disa barinj të varfër e vizituan Atë pasi dëgjuan lajmin nga engjëjt: “Sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti. Lavdi Perëndisë në vendet më të larta dhe paqe mbi tokë, mirësi për njerëzit!” (Luka 2:8–14).
Në moshën 30-vjeçare, Jezusi filloi veprën e jetës së Tij. Ai jo vetëm që predikoi mesazhin e Tij, por e jetoi atë mes njerëzve të thjeshtë, si njëri prej tyre. Ai I shërbeu për nevojat e tyre shpirtërore dhe gjithashtu shëroi të sëmurët dhe ushqeu të uriturit. Jezusi i donte të gjithë pa anësi, madje edhe me çmimin e reputacionit të Tij. Ai u miqësua me të dehurit, prostitutat, mëkatarët, të dëbuarit dhe të shtypurit, duke dëshmuar se askush nuk është përtej arritjes së dashurisë dhe faljes së Zotit.
Nëpërmjet Jezusit, Zoti e ndau dashurinë e Tij me gjithë botën dhe Ai do secilin prej nesh individualisht. Zoti ju do aq shumë sa dha dhuratën e Tij më të shtrenjtë, Birin e Tij të vetëm, që të mund të keni jetën e përhershme (Gjoni 3:16).
Zoti na e kupton dhimbjen, lëndimet dhe humbjet tona. Ai dëshiron të na afrojë, të na qetësojë, shërojë, ngushëllojë dhe sigurojë. Ai dërgoi Birin e Tij të jetonte mes nesh, të përjetonte vështirësitë tona, të zbulonte zemrën e Tij dhe të na lidhë drejtpërdrejt me dashurinë dhe fuqinë e Tij. Jezusi nuk u dërgua për të na hequr të gjitha problemet tona, por për të na ndihmuar t’i kalojmë ato dhe të bëhemi më të fortë.
Kjo është arsyeja pse ne kemi shpresë këtë Krishtlindje.
Jezusi dëshiron të ketë një marrëdhënie personale me ju dhe të jetë një pjesë e vërtetë e jetës suaj tani dhe përgjithmonë. Ai qëndron në derën e zemrës suaj, duke pritur që ju ta hapni dhe ta ftoni Atë brenda (Zbulesa 3:20).
Ju mund ta ftoni Jezusin në jetën tuaj duke u lutur me sinqeritet këtë lutje:
“Jezus, të lutem më fal për të gjitha mëkatet e mia. Unë besoj se ti vdiqe për mua. Unë të hap derën e zemrës sime dhe të ftoj në jetën time. Të lutem më mbush me dashurinë dhe Shpirtin tënd të Shenjtë, më ndihmo të të njoh Ty, dhe më udhëzo në rrugën e së vërtetës.