Cili është kuptimi i jetës? Pse jam këtu? A ka një qëllim apo plan për ekzistencën time? Këto pyetje të përjetshme kanë intriguar dhe frymëzuar njerëzimin për breza të tërë. Pavarësisht kombësisë, statusit shoqëror, përkatësisë etnike ose besimeve tona, njerëzit kudo janë të etur për të njëjtat gjëra themelore – të vërtetën përfundimtare, qëllimin, dashurinë, lumturinë dhe paqen shpirtërore.
Në botën e sotme gjithnjë e në ndryshim, gjithnjë e më komplekse dhe të ndërlidhur me ritme të shpejta, gjithnjë e më shumë njerëz e gjejnë veten të kapur në nxitimin e furishëm për t’u bërë të suksesshëm ose për t’ia dalë mbanë financiarisht. Ata shpesh kanë pak kohë për të medituar çështje në dukje abstrakte, si kuptimi i jetës ose fati i përjetshëm i shpirtrave të tyre.
Por me kalimin e viteve, njerëzit shpesh zbulojnë se presionet e jetës dhe përpjekjet për të përmbushur të gjitha angazhimet e tyre i kanë mbushur me stres dhe ankth, jo paqe apo kënaqësi. Jeta e tyre private shpesh vuan si rezultat, pasi ata nuk janë në gjendje të gjejnë kohë të mjaftueshme për të kaluar me familjen ose miqtë ose për të zhvilluar marrëdhënie të qëndrueshme.
Kjo botë dhe të gjitha të mirat e saj materiale dhe kënaqësitë kalimtare, nuk mund t’i përgjigjen kurrë pyetjeve të mëdha të jetës. Gjërat materiale mund të kënaqin përkohësisht, por kurrë nuk mund të kënaqin dëshirën e përjetshme të shpirtit për të vërtetën, qëllimin, dhe kuptimin.
Kur një krizë ose tragjedi personale të godet – një aksident i papritur ose një sëmundje kritike, një vdekje në familje, një humbje e madhe personale e çdo lloji – të gjitha arritjet dhe të mirat e kësaj bote mund të bëjnë pak për të sjellë ose rivendosur shpresën. Është gjatë kohëve të tilla që njerëzit shpesh kuptojnë se vlerat e vërteta të jetës – dashuria, qëllimi dhe fati i përjetshëm – janë ato që kanë në fund të fundit rëndësi.
Bibla na thotë se Zoti është një Atë i dashur që do çdo njeri në mënyrë unike per të cilin krijoi këtë botë të bukur. Dëshmia më e dukshme e ekzistencës së një Krijuesi hyjnor është bota dhe universi që na rrethon, krijimi i dukshëm e natyror.
Kur shikon lart në qiell në një natë të kthjellët dhe sheh yjet, planetët dhe mrekullitë e kozmosit, gjithçka e tillë shpall vetëm një gjë: “Ka një Zot! Shikoni mrekullitë që Ai ka krijuar!” Tërësia e krijimit dëshmon vazhdimisht jo vetëm për ekzistencën, fuqinë dhe madhështinë e Tij, por edhe për dashurinë, shqetësimin dhe kujdesin e Tij për të na siguruar një botë kaq të bukur në të cilën të jetojmë.
Si Krijuesi hyjnor, Zoti është i vetmi që mund t’i japë kuptim universit, qëllim planetëve, dashuri për zemrat tona, paqe për mendjet tona, shëndet për trupin tonë, prehje dhe gëzim për shpirtrat tanë. Zoti nuk është një qenie e largët e indiferente. Ai është një Zot që është personal, i cili ka një marrëdhënie me krijimin e Tij. Ai është i interesuar për secilin prej nesh si individ.
Nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin, ne bëhemi fëmijët e Zotit. Ai komunikon me ne, qëndron në ne dhe na do. Bibla na thotë se “Perëndia e deshi aq botën [ju dhe mua], sa dha Birin e Tij të vetëmlindurin [Jezusin], që kushdo që beson në Të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16). Jezusi do t’ju falë të gjitha mëkatet tuaja dhe do t’ju japë jetën e përjetshme në parajsë nëse e ftoni Atë në zemrën tuaj.
Pranojeni Atë tani duke u lutur sinqerisht me një lutje si më poshtë:
I dashur Jezus, faleminderit që dhe jetën Tënde për mua ne mënyrë që të kem jetën e përjetshme. Të lutem më fal për çdo gjë të gabuar dhe të padashur që kam bërë ndonjëherë. Eja në zemrën time, më jep dhuratën Tënde të jetës së përjetshme dhe më ndihmo të njoh dashurinë dhe paqen Tënde. Amen.