Orari i Zotit

Nëse, si unë, keni shkuar në një dyqan vetëm për të zbuluar që e keni keqlexuar tabelën e tyre “Orari” dhe keni përfunduar duke parë ngrysur dyert e mbyllura, kjo është për ju.

Nuk kam shpesh momente epifanie, por ky rast u kthye në një të tillë. Ndërkohë që përpiqesha të kuptoja si e kisha ngatërruar orën e mbylljes me një orë (dhe duke justifikuar veten në të njëjtën kohë), papritur më lindi një mendim.

Po sikur Zoti të kishte orar zyrtar? Po sikur, thjesht sepse mund ta bëjë, Zoti të largohej më herët? A mund ta imagjinoni?

“Më falni, por s’jam në zyrë. Ma drejtoni kërkesën, kur të kthehem.”

“Numri, të cilit i keni rënë, s’është i disponueshëm për momentin. Ju lutem, provojeni më vonë.”

Ose “Ju lutem, shtypni 1 për të lënë një takim.”

Ne mund të qeshim po ta imagjinojmë Zotin duke u çlodhur në ndonjë resort qiellor, por në fakt, ky është një mendim që të kthjellon. Teksa reflektoja, pyeta veten, Mund të kaloj një ditë të vetme pa Zotin? Një pjesë të ditës? S‘m’u desh shumë të kuptoja që as nuk guxoja ta provoja.

E vërteta e mrekullueshme për Zotin Atin, Jezusin Birin dhe Shpirtin e Shenjtë është se ne të gjithë besojmë se kemi qasje të plotë, 24/7/365, te e gjithë ndihma, fuqia, mençuria dhe dashuria. Nuk mbetemi asnjëherë duke vështruar tabelën “Kthehemi për 10 minuta” në derën e zyrës së Zotit. Jezusi nuk i refuzon asnjëherë thirrjet tona, dhe Shpirti i Shenjtë nuk thotë, “Shihemi nesër.”

Në fakt, tabela e “orarit” të Zotit lexon kështu:

“Jam gjithmonë këtu për ty. Edhe nëse të mbyllet çdo derë tjetër. Unë s’do të shkoj gjëkundi.” 1

“E mban mend atë herën kur ti ishte i pashpresë dhe unë të shpëtova? E po, mund ta bëj përsëri. Thjesht, ki besim tek Unë.” 2

“Respekto rregullat e Mia, dhe do të kesh absolutisht çdo gjë që të bën mirë.” 3

Kështu që, le të mos lëmë Zotin si mundësinë tonë të fundit, atë që shkojmë vetëm kur “gjërat e zakonshme” nuk funksionojnë. Le ta vizitojmë Atë të parin në mëngjes, të fundit në darkë, dhe gjatë gjithë orëve ndërmjet. Në çdo kohë, çdo ditë, dera e Tij është gjithmonë hapur.

  1. Shih Mateu 28:20.
  2. Shih 2 e Korintasve 1:10.
  3. Shih 1 Gjoni 3:22.