Pas 21 vite martesë, zbulova një mënyrë të re për të mbajtur gjallë shkëndijat e dashurisë.

Pak kohë më parë dola me një grua tjetër.

Në fakt, ishte ideja e gruas sime.

“E di që e do atë,” tha ajo një ditë, duke më kapur në befasi.

“Por unë të dua ty,” protestova unë.

“E di, por ti e do edhe atë.”

Gruaja tjetër që gruaja ime donte që të takoja ishte nëna ime, e cila kishte 19 vite e ve. Sigurisht që e doja shumë, por detyrimet e punës dhe tre fëmijët e mi më lejonin ta vizitoja atë rrallë. Atë natë, e mora në telefon ta ftoja të dilnim për darkë dhe për të parë një film.

“Ç’ka ngjarë? S’je mirë?” pyeti ajo. Nëna ime është ai lloj gruaje që dyshon se një telefonatë në orët e vona apo një ftesë e papritur është një shenjë lajmesh të këqija.

“Mendova se do të ishte bukur të kalonim kohë së bashku,” iu përgjigja. “Vetëm ne të dy.”

Ajo u mendua për një çast dhe më pas, tha, “Do të më pëlqente shumë.”

Atë të premte pas pune, teksa po ngisja makinën për ta marrë, u ndjeva pak nervoz. Kur arrita në shtëpinë e saj, vura re se edhe ajo dukej nervoze për “takimin” tonë. Po priste te dera me pallton e veshur. I kishte bërë flokët kaçurrela dhe kishte veshur fustanin që veshi kur festoi përvjetorin e fundit të martesës. Ajo buzëqeshi, fytyra e saj ishte po aq rrëzëllitëse sa e një engjëlli.

“I thashë shoqeve që do të dilja me tim bir dhe ato u mahnitën,” tha teksa po hipte në makinë. “Mezi po presin të dëgjojnë rreth aventurës sonë.”

Shkuam në një restorant, i cili edhe pse nuk ishte elegant, ishte i këndshëm dhe i rehatshëm. Mamaja më kapi prej krahu sikur të ishte Zonjë e Parë. Pasi u ulëm, m’u desh të lexoja menynë. Ajo arrin të lexojë vetëm shkronjat e mëdha.

Kur po hanim pjatën e parë, ngrita sytë dhe pashë time më teksa më vështronte. Në buzët e saj kishte një buzëqeshje nostalgjike.

“E lexoja unë menynë kur ti ishte i vogël,” tha ajo.

“Atëherë, është koha që ti të çlodhesh dhe të më lejosh të të kthej nderin,” iu përgjigja. Gjatë darkës, patëm një bisedë të këndshme, duke biseduar mbi ngjarjet e fundit të jetës sonë.

Folëm aq shumë sa e humbëm orarin e filmit. Kur arritëm më vonë në shtëpi, ajo tha, “Do të dal përsëri me ty, por vetëm nëse më lejon të të qeras unë.” Rashë dakord.

“Si ishte darka?” më pyeti ime shoqe kur arrita në shtëpi.

“Shumë bukur. Shumë më shumë nga sa e kisha imagjinuar,” iu përgjigja. Një javë më vonë, ime më vdiq disa orë pasi pësoi një sulm të rëndë në zemër. Ndodhi aq papritur, saqë s’pata mundësi të bëja gjë për të.

Por pak kohë më vonë, mora një zarf me një kopje fature restoranti nga i njëjti vend ku darkova me time më. Një pusullë bashkangjitur shkruante: “E pagova paraprakisht këtë faturë. Jam pothuajse e sigurt që s’do të jem aty, por, pavarësisht kësaj, kam paguar për dy veta, një për ty dhe një për gruan tënde. S’ke për ta kuptuar kurrë ç’nënkuptoi ajo darkë për mua. Të dua shumë.”

Në atë çast, e kuptova rëndësinë e të thënës “Të dua!” para se të jetë shumë vonë dhe t’u japësh të dashurve tanë kohën që ata meritojnë.