Rreth gjashtë vite më parë u transferuam në një lagje të re. Qëkur mbërritëm, jemi munduar të jemi miqësorë me fqinjët tanë dhe t’u tregojmë dashamirësi. I përshëndesim ata me një buzëqeshje, i pyesim si janë, dhe disa herë kemi përgatitur pica dhe ua kemi dhënë atyre si një shenjë miqësie. Ne menduam se po bënim mirë duke i treguar fqinjëve tanë që kujdesemi për ta. Por më pas u njohëm me Nildën.

Dy nipërit e rritur të Nildës janë të dy me aftësi të kufizuara me një sëmundje gjenetike degjenerative. Për të ndihmuar me përkujdesjen e tyre, ajo vendosi të shpërngulej me familjen e vajzës së saj. Përkujdesja e personave me aftësi të kufizuara fizike krijon shumë punë e stres dhe askush nuk do ta fajësonte këtë familje që përqendrohej në problemet dhe sfidat e tyre. Por Nilda s’është kështu. Ajo është personi më mikpritës që kam njohur ndonjëherë dhe gjithmonë duket se ka të paktën një, nëse jo dy, grupe vizitorësh në shtëpinë e tyre. Ndërsa vizitorët e mëparshëm çohen të largohen, vizitorët e rinj hyjnë në shtëpi; ka një fluks të vazhdueshëm njerëzish dhe lëvizjeje.

Pijet dhe ëmbëlsirat janë gjithmonë gati, si dhe ushqimet apo pjatat e thjeshta që përgatiten për pak minuta. Përkundër sfidave dhe vështirësive me të cilat përballet kjo familje, ekziston një atmosferë e gëzueshme dhe optimiste.

Edhe qeni ynë, i cili herë pas here vjen me ne, nuk mbetet pa një tas me ujë dhe një apo dy ushqime të veçanta. Në fakt, qeni ynë e njeh Nildën që larg dhe mezi pret të shohë ç’do t’i japë ajo këtë herë. Nilda i kushton vëmendje edhe detajeve më të vogla rreth vizitorëve të saj.

Nuk e di nëse disa paragrafë mund ta shlyejnë gëzimin, mirësinë, merakun, ndihmën dhe mikpritjen që ajo u dhuron të tjerëve, por m’u kujtua Nilda kur lexova citimin e mëposhtëm:

Zoti ynë… na thotë se gjërat e vogla që ne bëjmë: duke ushqyer të uriturit, duke i dhënë pije të eturit, duke treguar mikpritjen ndaj të huajit, duke vizituar të sëmurët dhe gjestet e tjera të pafundme të dashurisë, të cilat ne nuk i marrim parasysh, nëse bëhen me qëllimin e duhur, pranohen sikur të ishin bërë me të vërtetë për vetë Krishtin!… Gjëja më e mirë që mund të bëjmë me dashurinë tonë nuk është të gjejmë një shans për të kryer një akt të shkëlqyer e të biem në sy para botë, por të mbushim të gjitha ditët dhe orët me pak mirësi që do t’i bëjë zemrat e panumërta më fisnike, më të forta dhe më të lumtura. —J. R. Miller