Po i lexoja historinë e njohur të Samaritanit të Mirë 1 nga një Bibël e ilustruar me figura vizatimore një grupi nxënësish tetë, nëntë vjeçarë të Shkollës të së Dielës. Historia mbaroi me pyetjen që bëri Jezusi: “Cili na këta të tre, pra, të duket se qe i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?’ Doktori i ligjit u përgjigj, ‘Ai që u tregua i mëshirshëm ndaj tij.’ Atëherë Jezusi i tha: Shko dhe bëj kështu edhe ti.’” 2

Një djalë me flokë të kuqe dhe pikalosh pyeti, “Si ta gjej një të afërm apo fqinj që ka nevojë për ndihmë?”

Kjo pyetje më futi në mendime! E vërtetë, nuk ndodh çdo ditë të hasemi me një person të rrahur, të shtrirë në rrugë, për të mos thënë, asnjëherë, ose jo shpeshherë dëshmojmë teksa dikush grabitet apo keqtrajtohet, dhe mesa di unë, fqinji im rrallëherë ka nevojë për diçka nga unë.

Duke eksploruar më tej mendimin, imagjinova një nga ditët e mia rutinë, të cilat shkonin kështu:

Gjysmë ore reflektim dhe lutje herët në mëngjes, të ndjekura nga disa ushtrime dhe një mëngjes i shpejtë. Të dal në kohë për të mos më kapur ora e trafikut, është një mision më vete. Edhe pse jam në kohë për takimet, një pjesë e mirë e qytetit tonë afrikan nuk është, shpesh duke më vonuar për takimin tim të radhës, gjë që më detyron t’i bashkohem rrethit të të ardhurve me vonesë. Si rrjedhim, kjo më lë të pakënaqur, me pak dhembshuri të ndaloj dhe të lë një monedhë në dorën e lypëses së moshuar të palarë në cepin e rrugës, apo burrit në karrige me rrota me gjymtyrë druri në vend të këmbëve, i ulur në rrugë, me dorën e zgjatur.

Unë kaloja me nxitim. Ata ishin fqinjët e mi?

Kaloja nga një eveniment në tjetrin pa pasur kohë t’i përgjigjesha një mesazhi nga një mik, të cilit i duheshin vetëm disa minuta nga koha ime. Një vesh që dëgjonte do të kishte gjithë kuptimin e botës për të. Ai ishte fqinji im?

Pashë kalimthi një letër elektronike nga një i njohur i vjetër, i cili më shpjegonte se si jeta e tij kishte marrë tatëpjetën dhe se kishte nevojë të fliste me dikë. Kjo duhet të presë për më vonë, vendosa, ndërkohë që ju ktheva letrave elektronike të biznesit. Mund të kishte qenë ai fqinji im?

Kur shkova në parking më vonë, po atë ditë, burri që kishte parkuar ngjitur me mua po kontrollonte si i xhindosur motorin për vaj, në përpjekje të ndizte makinën, por më kot. Dukej se kishte nevojë për një kabull lidhës, që përdoret për të ndezur mjetet. Ky veprim do të vinte nga ndonjë Samatarian i Mirë, por jo nga unë. Kabulli im ishte futur thellë në bagazhin e makinës, poshtë disa pajisjeve, të cilat duhet t’i shpërndaja te një nga projektet tona rrugës për në shtëpi. “Sigurisht, ai s’është fqinji im, do të kem menduar kur hipja në timon, me një shikim që reflektonte keqardhje. Në secilin rast, unë isha rrugës për në ndonjë projekt ndihme dhe isha me vonesë.

Pasi reflektova atë ditë, kuptova se çdo ditë na vjen pranë një apo dy fqinjë, dhe sa e thjeshtë është t’i mënjanojmë dhe të vazhdojmë me punët e “rëndësishme”. Gjithashtu, kam sjellë ndërmend ato shumë herë që kam përfituar nga një Samatarian i Mirë e miqësor, kush ka vendosur se unë isha një fqinj dhe më zgjati dorën kur isha në vështirësi. Kështu që, vendosa t’i kushtoja më shumë rëndësi veprave të mirësisë dhe hollësive të vogla që mund t’i kushtoj fqinjëve, që mund të has rrugës gjatë ditëve të mia të zëna.

Fiks ditën tjetër, u testova mbi këtë vendim, kur më telefonoi një shoqe, duke më pyetur nëse mund të kujdesesha për foshnjën e saj një orë, ndërkohë që ajo do të shkonte në një takim te dentisti. Kisha planifikuar ta merrja pushim atë të shtunë, por duke pasur parasysh premtimin tim, i thashë “po”, duke besuar se mund të përdorja një orë kohë dhe më pas, do të kisha mjaftueshëm kohë për t’u çlodhur. Gjithashtu, i shkrova një letër të njohurit tim të trishtuar dhe i dhashë një monedhë zonjës së vjetër te cepi. Fatmirësisht, askush nuk pati nevojë për kabullin tim.

Pati fqinjë të tjerë përgjatë javëve që erdhën, dhe do të ketë plot të tjerë në të ardhmen.  Edhe një buzëqeshje mund të arrijë shumë, si të japësh një dorë në ndihmë të të tjerëve, të kursesh një monedhë, të mbash një çantë, të dërgosh një mesazh inkurajues, të ndash një vakt, të japësh një moment vëmendje apo të bësh një telefonatë të vonuar.

Është e habitshme të shohësh një pafundësi sjelljesh të vogla dhe veprash që mund të përmirësojnë botën përreth nesh, nëse i kushtojmë vëmendje dhe mbajmë mend Samatarianin e Mirë dhe e pyesim rregullisht Zotin, “Kush është fqinji im?” 3

  1. Shih Luka 10:25–37.
  2. Luka 10:36–37
  3. Lexoni historinë e plotë të Samatarianit të Mirë te Luka 10:25–37.