Unë dhe familja ime shkuam një herë me makinë deri në majë të Pikes Peak (Maja Pajks), kulmit më të lartë të Maleve Shkëmbore. Rreth 4300 metra mbi nivelin e detit, soditëm pamje befasuese të liqeneve që rriheshin nga era në majë të malit, strukturave shkëmbore, pyjeve dhe maleve të larta nga të gjitha anët. E gjithë skena ishte gdhendur në kujtesën kolektive të familjes sonë, për ta ndarë atë gjithmonë e më shumë me të tjerët.

E di që ka shumë mënyra për ta përqafuar natyrën dhe për të përjetuar madhështinë e saj. Një entuziast i jetës së egër do të mrekullohej nga krijesat që banojnë në zonë, një adhurues i gjeologjisë do të befasohej nga historitë që malet rrëfejnë, një i varur adrenaline do të ngazëllehej me ngjitjen më të lartë, apo me praktikimin e një sporti ekstrem, por ajo çka pashë unë ishte një shprehje e madhe e Zotit.

Jam e befasuar si Zoti i krijoi këto pamje magjepsëse, jo nga meritat e mia apo nga meritat kolektive të njerëzimit. Duke ditur natyrën tonë mëkatare, Ai prapë e krijoi këtë botë të bukur. Disi ai e lidhi njerëzimin me këtë krijimin dhe me njëri-tjetrin. Përmes natyrës fizike, malet, oqeanet, pyjet, shkretëtirat, rrafshinat dhe ujërat, ne shohim natyrën e Tij:të qëndrueshme, të paparë, frikësuese dhe që njëkohësisht të jep jetë.

Për më tepër, çdo kush mund ta përjetojë mrekullinë e Tij, pavarësisht qëndrimit tonë ndaj Zotit. Bibla thotë se Ai i dërgon shiun të drejtit dhe të padrejtit, duke e treguar dashurinë e Tij si një të vetme. Krijimi i tij demonstron dëshirën e Tij për t’u kujdesur dhe për ta mbajtur botën dhe besnikërinë e Tij ndaj nesh, pavarësisht veprimeve tona. Krijimi, natyra, është ripërtëritëse, tregon vazhdimisht shpresë dhe premtim, edhe në prag të shkatërrimit dhe katastrofës.

Unë ndihem e vogël, vetëm një notë e vogël në këtë simfoni të stërmadhe dhe fantastike, por gjithashtu ndihem e njohur. Shpresoj që edhe ju të gjeni mundësinë të qëndroni në majë të botës, që shpirti juaj të bërtasë bashkë me timin, O Zot, Sa i Madh Që Je!