Jo shumë kohë më parë, i besova një shoqeje që ndihesha e tejmbushur me stres dhe ankth mbi punën time. Ajo sugjeroi të kaloja më shumë kohë duke medituar mbi mirësinë e Zotit dhe ta studioja Fjalën e tij si kundërpërgjigje. “Por unë nuk kam kohë!” protestova.

“Ç’do të thuash me nuk kam kohë?” pyeti ajo me një kapsitje sysh.

“Dua të them që nuk kam kohë të mjaftueshme nëpër duar!” ia ktheva, e inatosur dhe në mëdyshje.

“Oh, pra, nuk ke mjaftueshëm kohë? Ti mund të thuash që ke rrezet e diellit. Por nuk do ta thoshe kurrë këtë, sepse ti e di që e krijoi Zoti diellin. Pse nuk e konsideron kohë si një dhuratë ose një hua nga Zoti, në vend që ta shohësh si diçka që e zotëron ti?” 

“E po, jo … thjesht se…” Ngriva në vend. Nuk e kisha kuptuar kurrë që e kisha konsideruar kohën, si diçka që e “zotëroja” unë. Por ishte e vërtetë. Ideja që Zoti ma kishte huazuar apo po ma jepte kohën më dukej absurde; përkundrazi, isha mësuar të mendoja se ndonjëherë unë me bujari i jepja Atij copëza të vyera nga koha ime! Sa më shumë e mendoja, aq më shumë e pashë sa thellë e kisha të ngulitur këtë ide në nënvetëdijen time. Sa herë kisha thënë, “Ai (ose ajo) më shpërdoruan kohën time!” 

Ditën tjetër, unë dhe shoqja ime folëm akoma mbi këtë temë. Diskutuam si e pasja e një qëndrimi zotërues ndaj kohës e kishte çuar fokusin tim vetëm në idetë, qëllimet dhe dëshirat e mia, duke e përjashtuar Zotin nga vendimet e mi. Pa ndihmën e Tij që t’i japë formë programit dhe stilit tim të jetës, unë po mundohesha më kot të mbaja ritmin e punës ime. Nuk ishte çudi që isha e stresuar dhe ndieja se nuk “kisha” kohë për të komunikuar me Krijuesin tim.

Ditët në vazhdim, vura re se arsyetimi im i mangët mbi kohën kishte ndikuar në mënyrën si e shikoja familjen, punë, zotërimet e mia dhe shumë fusha të tjera të jetës së përditshme. Fjala “ime” kishte  depërtuar në çdo cep të zemrës sime. Në vend që të isha mirënjohëse dhe bujare me gjithçka që më ishte dhënë, me egoizëm po mbaja fort çdo gjë që ndieja se ishte e drejta ime. Sa herë që Zoti dukej se nuk po i përgjigjej lutjeve të mia dhe se nuk po m’i plotësonte dëshirat, unë turfulloja duke menduar mbi arsyen pse “Zoti im” nuk po bënte çfarë unë doja, kur unë e doja, sikur Ai të ishte “Hamalli” im. 

Nuk ka qenë e thjesht ta ndryshoj mendësinë time, dhe kam akoma shumë punë, por po mësoj të them me psalmet, “Gjithçka që është në qiell dhe mbi tokë është jotja.” 1

  1. 1 i Kronikave 29:11