Gruaja ime ruan një dashuri për statujat në miniaturë të lindjes së Krishtit apo skenat në koritë, siç quhen ndonjëherë. Njëzet e pesë vite më parë ajo krijoi figura të vogla të lindjes së Krishtit si dhuratë për familjen e saj. Ajo i skaliti ato nga balta, i pikturoi në tryezën e kuzhinës, dhe pastaj i poqi në furrë. Motra e saj i ruan dhe i tregon akoma çdo Krishtlindje.

Kur jetonim në vende të huaja si vullnetarë të krishterë, gruaja ime filloi të mbledhë statuja të vogla të bëra në ato vende. Ajo ka një statujë nga Rusia dhe një nga Izraeli, të gdhendura në drurin e ullirit. Ajo ka një figurë të globit të dëborës që gjithashtu tregon një skenë “Larg në Koritë” dhe disa të tjerë.

Vitin e kaluar pamë një koleksion privat rreth 100 figura nga e gjithë bota. Mes tyre, ne pamë Familjen e Shenjtë të përshkruar si njerëz të fiseve afrikane, si orientalë, me rroba indiane dhe si fermerë të Amerikës Latine. Ne pamë një figurë të punuar në detaj të përdorur dikur në një katedrale madhështore në Evropë. Ne pamë një figurë të bërë nga eskimezët, në të cilën Maria dhe Jozefi kishin veshur gëzof me kapuç dhe çizme dëbore, dhe një të bërë në një ishull të Paqësorit të Jugut, ku figurat ishin veshur si njerëzit e ishullit dhe vendoseshin në një kasolle të bërë nga fijet e palmës së arrës së kokosit.

Njerëzit që i krijonin këto figura në miniaturë në shumë vende të botës kishin diçka të përbashkët. Ata portretizonin Jezusin dhe të pranishmit në lindjen e Tij janë si ata vetë, veshur me rroba si të tyret dhe duke jetuar njësoj si ata, duke e lidhur me veten, në kulturën dhe kontekstin e tyre.

Në fillim të viteve 1800, para se skllavëria të ishte e jashtëligjshme në SH.B.A., një skeptik pyeti një skllav, “Si mund t’i besosh Jezusit dhe t’i lutesh të njëjtit Zot, të cilit i luten zotërinjtë e tu?” Dhe skllavi u përgjigj me mençuri, “Ai nuk është vetëm Jezusi i tyre. Është edhe Jezusi im!” Ai skllav kishte gjetur Jezusin dhe kishte mësuar të tërhiqte forcën dhe rehatinë që i duhej prej Tij.

Kjo është e vërtetë akoma edhe sot. Jezusi lidhet shpirtërisht me të gjithë njerëzit, të çdo race dhe toke: të pasur dhe të varfër, njerëz nga zonat rurale dhe urbane, shumë të arsimuar dhe analfabetë, të fortë dhe të dobët. Ai na do të gjithëve dhe secili prej nesh mund ta pretendojë Atë si të vetin dhe të gjejë tek Ai falje për mëkatet, shpëtimin dhe furnizimin e nevojave tona më të thella. Ai është Jezusi im, dhe Ai është edhe Jezusi Ynë.