Heronjtë e palëvduar

Vetëm Zoti është i vetëdijshëm për numrin e madh të veprave heroike që bëhen çdo ditë. Nëse do t’u jepeshin stema të gjithëve, nuk do të kishte mjaftueshëm hapësirë në të gjithë muret e botës! Ndoshta, këtë kishte ndërmend bashkëshorti im Majkëlli kur shkroi këtë këngë për të çmuar heronjtë e palëvduar.

Të pashë kur askush s’të vuri re,
Të pashë ditë pas dite,
Vështrova shpirtin tënd të përulur,
Admirova metodat e tua të thjeshta.
Pyeta veten sa të kishte kushtuar
Ta luaje pjesën tënde me aq vullnet?
Derisa s’mund t’i ndaloja më
Fjalët që mbushnin zemrën time:

Ti je heroi i palëvduar
Që i lë shpresat dhe ëndrrat e tua të shkojnë
Në mënyrë që jetët e tjera të gjejnë ç’ëndërrojnë.
Duke i dhënë veten më të madhit,
Duke u mbajtur fort, pavarësisht çmimit.
Atje në të gjithë botën, s’ka dashuri më të madhe.

Desha të të thosha shumë gjëra,
Por mezi po i gjeja fjalët
Për të të treguar admirimin
Që ndiej thellë përbrenda.
Gjithë ato punë të papara
Që të gjithë duket se s’i shohin
Po krijojnë kurorën tënde në parajsë
Që do të shkëlqejë përjetësisht.

S’do të mund ta bëj atë që bëj
Pa ty, që më ndihmon.
Jetët tona do të njihnin një zbrazëti
Pa dashurinë dhe besnikërinë tënde.

Natën e shkuar, unë dhe im bir po lexonim një libër mbi John Wesley. Morëm vesh që kur ishte i vogël, mbeti një herë i bllokuar në një ndërtesë në flakë. Dikush e vuri re, u ngjit dhe e nxori prej andej. Nuk e dimë emrin e atij njeri apo ndonjë gjë tjetër rreth tij, por pa këtë shpëtimtar anonim, jetë të panumërta nuk do të kishin mundësinë të njihnin Jezusin përmes dekada të tëra predikimi dhe shërbimi aktiv të Wesley-it për Zotin.

Edhe po të mos na dëgjohet kurrë emri dhe t’i jetojmë jetët tona si duart e padukshme të skenës në një shfaqje të madhe, le ta luajmë pjesën tonë mirë dhe t’u japim të tjerëve përkujdesje dhe respekt. Mund të na dëgjohet emri ndonjë ditë, kush e di ç’rezervon e ardhmja? Por kryesisht, ne do të ndiejmë kënaqësinë të shohim efektin në jetët e të tjerëve.