Ne të gjithë kalojmë përvoja në jetë që na lënë me shenja, dhe nëse shenjat janë fizike apo emocionale, shpesh përpiqemi t’i fshehim ato nga frika e asaj që të tjerët mund të mendojnë nëse na i shohin. Këto vraga, mund të jenë gjithçka në lidhje me veten tonë, për të cilat mund të ndiejmë turp dhe të përpiqemi t’i fshehim, të tilla si lëndime të varrosura nga e kaluara, beteja të brendshme me të cilat përballemi, tipare fizike për të cilat nuk jemi krenarë, etj. Gjatë gjithë jetës sime kam arritur të mësoj se përjeton një liri e madhe kur je i hapur për vragat në vend që t’i fshehësh ato. Ja një shembull i njërës nga vragat e mia proverbiale, për të cilën kam mësuar të mos turpërohem.

Disa vite më parë, bëra një shfaqje muzikore për studentët e një universiteti. Kur mbarova, një vajzë që kishte qenë në publik erdhi tek unë dhe më tha se sa e kishte shijuar programin. Pastaj ajo bëri një kërkesë për të cilën nuk isha gati. “E ke bezdi t’i heqësh syzet e diellit për një moment? Do të doja të shihja sytë e tu. ”

Për sa kohë që më kujtohet, kam vënë syze dielli kur dal ose bashkëveproj me të tjerët. Megjithëse nuk kam turp të jem i verbër, kjo ishte hera e parë që një person krejtësisht i huaj kërkoi të më shihte sytë, kështu që isha pak në siklet. Por i thashë vetes, Ku qëndron problemi? Sidomos kur nuk ka gjasa që ti ta takosh atë përsëri.

I hoqa syzet e diellit dhe përbrenda e përgatita veten për atë që mua më dukej si disa minuta, megjithëse duhej të ishte shumë më pak se kaq. Në fund, ajo tha: “I ke sytë shumë të bukur. Nuk ke pse i fsheh”. Nuk e pashë kurrë më pas, por gjithashtu nuk e harrova kurrë atë që tha.

Disa vite më vonë, u njoha përmes internetit me vajzën që tani është e dashura ime. Nuk jetonim në të njëjtin qytet, kështu që në fillim biseduam për Google Hangouts, pastaj vendosëm të provonim thirrjen në Skype. Thirrja e parë ishte vetëm me audio, pasi nuk më kishte shkuar në mendje të bëja një thirrje video. Kur ajo më sugjeroi të provonim një telefonatë me video herën tjetër, unë pranova, duke u ndjerë pak më shumë nervoz.

Para telefonatës me video, nga zakoni, vura syzet e diellit. E dija që ato më ndihmonin të përmirësoja prezantimin tim kur interpretoja dhe doja të paraqitesha me më të mirën time. Por për zhgënjimin tim, pas përshëndetjeve fillestare, ajo tha: “Po shpresoja të të shihja.”

Këtë herë, isha vërtet nervoz. Ndryshe nga vajza në universitet, kjo vajzë ishte dikush, mendimi i të cilit më interesonte. Por ky moment sidoqoftë do të vinte dhe ishte e kotë të vonoja të pashmangshmen.

Kur hoqa syzet, pata të njëjtën ndjesi sikur po më ekzaminonin nga afër. Ajo tha, “Sa sy të bukur! Nuk ke nevojë për syzet kur flet me mua. ”

Kohët e fundit kam dëgjuar një histori të shkurtër, prekëse që tregon qartë se sa të vlefshme mund të jenë vraga të caktuara, për shkak të kujtimeve që ato mbajnë. Tregon historinë e një djalë i cili u sulmua nga një krokodil ndërsa notonte në një pellg afër shtëpisë së tij. Ai bërtiti me të madhe teksa krijesa e kapi për këmbët, dhe nëna e tij, duke dëgjuar britmat nga brenda shtëpisë, doli me vrap dhe e kapi nga krahët. Ajo e kapi me të gjitha forcat e saj, duke i ngulur thonjtë në mishin e tij, derisa një fqinj i cili gjithashtu dëgjoi britmat erdhi me nxitim me pistoletën e tij dhe e qëlloi krokodilin.

Kur djali po shërohej, erdhi ta takonte një reporter i gazetës dhe e pyeti nëse do t’ia tregonte plagët në këmbët e tij ku e kishte kafshuar krokodili. Ai ngriti paçet e pantallonave dhe pastaj, tha, “Por këto janë vragat që ju duhet të shihni,” teksa ai mblodhi mëngët e bluzës dhe tregoi shenjat e thonjve të nënës së tij në krahë, ku ajo e kishte kapur. “I kam këto plagë,” tha ai, “sepse nëna ime nuk më lëshoi kurrsesi.”

Edhe Jezusi kishte vraga. Edhe pas ringjalljes së Tij të mrekullueshme, Ai ende kishte vraga gozhde në duart e tij dhe një vrimë në anë, ku Ai ishte shpuar. Megjithëse Ai ishte në gjendje t’i largonte, Ai jo vetëm që zgjodhi t’i mbante, Ai me dëshirë ua tregoi ndjekësve të Tij për t’u provuar atyre se Ai me të vërtetë ishte ringjallur, ashtu si Ai kishte premtuar se do të bënte.

Pra, nëse Jezusi nuk kishte turp nga plagët e Tij, pse duhet të kemi ne turp për tonat? Kur vendosim t’i tregojmë shenjat tona në vend që t’i fshehim, drita dhe dashuria e Zotit mund të shkëlqejë përmes tyre, duke shkaktuar një ndikim të pashlyeshëm në jetën e të tjerëve për lavdinë e Tij. “Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej.” 1

  1. Mateu 5:16