E dua shumë ditëlindjen time dhe çdo gjë të asaj dite—veçanërisht telefonatat me urime, mesazhet, e-mail-et, urimet në Facebook dhe kartolinat nga familjarët dhe miqtë. Atë ditë, çdo gjë bëhet për mua—ushqimi im i preferuar, vendi ku më pëlqen të shkoj, gjërat që dua të bëj. Me pak fjalë, gjithçka që dëshiroj. Më pëlqen të përkëdhelem nga madhështia e ditëlindjes sime.

Fatkeqësisht, njoh dikë i cili po gjendet gjithmonë e më pak në fokus gjatë ditëlindjes së Tij.

Sot, Krishtlindjet po shihen si disa ditë pushimi nga puna, si një kohë për të bërë pazar dhe një arsye për t’u mbledhur me të afërmit. Zbukurimet, shkëmbimi i dhuratave dhe festimet sjellin kënaqësi dhe gëzim, por fryma e Krishtlindjeve është zëvendësuar në masë me “frymën e festave.”

Kam lexuar një herë për një fëmijë të vogël që shkoi në një qendër tregtare për Krishtlindje me gjyshen e tij dhe u çudit nga gjithë ato zbukurime, lodra dhe babagjyshë. Me ngadalë, ngriti kokën nga gjyshja dhe e pyeti me pafajësi, “Ku është Foshnja Jezus?”

Pyetja e atij fëmije është shumë kuptimplotë. Mes gjithë shkëlqimit dhe Krishtlindjeve magjepse të ditëve të sotme, mos ndoshta po harrojmë motivin e vërtetë të kësaj feste? Sa prej nesh kujtohen se Krishtlindjet janë ditëlindja e Dikujt dhe ndalen të mendojnë për një çast se çfarë do t’i pëlqente Atij si dhuratë?

Jam i sigurt se Ai e vlerëson përkushtimi tonë për zbukurimet dhe dhuratat që u bëjmë të afërmve tanë, por sa i lumtur do të ishte Ai nëse do t’i dhuronim edhe Atij diçka!

Ja disa ide që mund t’ju ndihmojnë se çfarë dhurate t’i bëni Jezusit:

  • Tregojini sesa shumë e doni. Asnjëherë nuk është e tepërt.
  • Shprehja dashurinë tënde familjes dhe miqve tuaj. Dikush mund të ketë shumë nevojë ta dëgjojë.
  • Ndihmoni të varfërit. Ndihmojini ata në emër të Tij dhe ftojini të bashkohen në frymën e Krishtlindjeve.
  • Lërini mënjanë mëritë.

Këtë vit le të bëjmë diçka për Atë që ka ditëlindjen!