Kur mendoj kush janë njerëzit më të mëdhenj të botës sime, zbuloj se mund të zgjedh mes shumë personave. Ka shumë burra dhe gra të shkëlqyera nga e shkuara me arritje të pabesueshme, prindërit e mi të mrekullueshëm të cilët më rritën shumë mirë, mësuesit e mi, dhe shumë njerëz të mirë që bëjnë sakrifica për të ndihmuar njerëzit anë e mbanë botës.

Dikush tjetër që më vjen ndërmend, është shoku im Nilo. E takova Nilon për herë të parë, në një treg disa vite më parë. Po kaloja dhe e pashë atë duke ecur me karrocë. Pasi Nilo është i gjymtuar. Nuk kisha shumë para me vete, por nxora ç’më kishte mbetur dhe e futa në filxhanin që kishte zgjatur. Ai më pa me një buzëqeshje të mrekullueshme.

“Faleminderit, miku im,” m’u përgjigj, dhe diçka në mënyrën si e tha më bëri të ndihesha mirë përbrenda.

Herën tjetër që shkova në treg, u ktheva tek i njëjti vend për të parë nëse Nilo ishte ende atje. Sapo sytë e tij u takuan me të mitë, ata u ndriçuan përsëri me të njëjtën buzëqeshje të mrekullueshme.

“Përshëndetje, miku im!” bërtiti ai matanë rrugës dhe i lëvizi duart duke kërkuar të kaloja për ta takuar.

Ne folëm pak, dhe nga ajo ditë e tutje, sa herë që shkoja në treg, përpiqesha gjithmonë të gjeja kohë ta shihja.

“Çfarë ka tek Nilo që e bën atë të jetë ndryshe nga njerëzit e tjerë që sheh në rrugë?” pyeta gruan time.

U menduam gjatë për këtë, më pas, dolëm në përfundimin: “Është buzëqeshja e tij!” Pavarësisht vuajtjeve dhe paaftësive të tij, ai nuk rri me fytyrë të brengosur sikur urren jetën dhe botën përreth tij. Jo, ai gjithmonë ka atë buzëqeshje të mrekullueshme në fytyrë dhe me gëzim më quan mikun e tij, edhe pse nuk kam shumë për t’i dhënë.

Ky është një person i mrekullueshëm! Ky është një person të cilin e respektoj, dikush që mund të përballet me vuajtjet e jetës së tij çdo ditë me një buzëqeshje dhe vazhdon të ecë përpara, pavarësisht vështirësive. Nëse ne do të ishim të tillë, bota do të ishte një vend më i mirë për të gjithë.