Unë jam një adhuruese e madhe e Majk Donehej, këngëtarit kryesor të Tenth Avenue North, dhe prezantues i videove të tyre në YouTube. Shpesh ndan se si merr frymëzim për këngët që ka shkruar, ose histori për të qeshur që e ndihmojnë atë të kuptojë më mirë Zotin dhe mënyrat e Tij. Një nga të preferuarat e mia është se ku ai flet se si “Zoti nuk është një elefant.” 1 Ai thotë se e di këtë, sepse e takoi – jo Zotin; elefantin.
Kur ishte pesë vjeç, ai shkoi në kopshtin zoologjik dhe pa një elefant për herë të parë. Elefanti nxori jashtë noçkën e tij, dhe Majku i vogël mendoi se ishte një gjest miqësie. Por jo, elefanti atëherë teshtiu mbi këmbën e vogël të Majkut. S’është nevoja ta thuash që pas kësaj ai nuk ishte edhe aq i dhënë pas elefantëve.
Ai gjithashtu kuptoi se Zoti nuk mund të ishte një elefant. Vetëm kur u rrit, ai kuptoi se sa e vërtetë ishte kjo. Jo vetëm për arsyen e qartë se elefantët janë kafshë dhe Zoti është Zoti. Ndërsa, thënia e vjetër thotë, “Një elefant nuk harron kurrë” ndërsa Zoti, me dashurinë e Tij për ne, zgjedh të harrojë mëkatet tona kur ndiejmë keqardhje dhe pendesë. Zoti madje e përshkruan Veten si atë që fshin shkeljet dhe “nuk i mban mend mëkatet e tua.” 2
Është e vështirë të imagjinohet që Zoti do të harronte diçka, veçanërisht nëse përpiqemi ta vendosim veten në vendin e Tij duke e imagjinuar veten duke bërë të njëjtën gjë për ata që na kanë bërë padrejtësi. Mund të themi se e kemi falur dikë, por ndonjëherë “Ne groposim sëpatën, por e lëmë bishtin jashtë.”
Thënia “të groposës sëpatën” vjen nga një traditë e amerikanëve vendas, ku krerët e fiseve do të varrosnin një sëpatë, apo sëpatë të vogël tomahok, duke sinjalizuar një akt paqeje. Nëse e lije bishtin jashtë, mund ët ktheheshe dhe ta merrje nëse do të ishte nevoja, kjo është si të falësh, por jo plotësisht.
E di që jam pa dyshim fajtore që e kam lënë bishtin jashtë. Unë do ta fal një mik, por nëse argumentojmë ose jam e mërzitur me ta, do të kujtoj ç’kanë bërë në të kaluarën. Natyrisht, kjo nuk është falje e vërtetë, dhe për fat të mirë, Zoti nuk është i tillë kundrejt nesh.
Pavarësisht sa e meritojmë ndëshkimin, Ai e sheh përtej gabimeve dhe shikon zemrën dhe dëshirën tonë për t’u përmirësuar. Ai na dërgoi djalin e tij të vetëm, Jezusin, i cili vdiq në kryq, duke marrë mëkatet e botës. Përmes këtij akti të madh dashurie, ne kemi fituar faljen. Ai i pastron plotësisht jetët tona.
Në Psalmin 103 (një nga të preferuarat e mia), David shkruan: “Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi. Ai nuk grindet përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë. Ai nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona. Sepse sa të lartë janë qiejt mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij. Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona.”3
Një grua e moshuar ishte duke festuar 50-vjetorin e saj, dhe një grua e re e pyeti se si e bëri martesën e saj të funksionojë kaq mirë për kaq gjatë. Ajo u përgjigj se në fillimin e jetës së saj martesore, ajo vendosi të bënte një listë me dhjetë gabime për të cilat gjithmonë do ta falte burrin e saj. Zonja e re ishte kureshtare dhe e pyeti nëse mund ta shihte atë listë. “Epo, kurrë nuk kam arritur ta shkruaj,” tha ajo, “por sa herë që ai do të bënte diçka që më inatoste, unë merrja frymë thellë dhe i thosha vetes, Për fatin e tij të mirë, ky ishte njëri nga dhjetë gabimet!”
Unë mendoj se këtë nënkuptoi Jezusi kur tha se duhet t’i falim të tjerët “shtatëdhjetë herë shtatë” herë. 4 Falja e vërtetë nuk mban llogari. Në dallim nga elefanti, Zoti fal dhe harron.
- Shih http://www.youtube.com/ëatch?v=U-mNFhHafjM. ↑
- Isaia 43:25 ↑
- Psalm 103:8–12 ↑
- Shih Mateu 18:21–22. ↑