Gjithmonë më ka pëlqyer dishepulli Pjetër. Ai bëri shumë gabime, hapi gojën në kohën e gabuar, nuk donte ta falte vëllanë e tij dhe madje për t’i vënë kapakun muhabetit e mohoi Jezusin, tre herë.
Megjithatë, Pjetri më pëlqen sepse unë jam shumë e ngjashme me të. Ashtu si Pjetri, secili prej nesh bën gabime, secili nga ne ka raste kur nuk i falim personat që na lëndojnë dhe padyshim, secili prej nesh e ka zhgënjyer Shpëtimtarin tonë. Unë jam e ndërgjegjshme që e kam bërë shumë herë.
Unë arrita në pikën kur pashë veten dhe të gjitha gabimet që kisha bërë (dhe padyshim që do të vazhdoja të bëja) dhe dola në përfundimin se isha një person i tmerrshëm. Unë nuk jam gjithmonë e sinqertë, zemërohem, jam dembele, argumentoj shumë, jam shumë sarkastike dhe kritike… dhe lista vazhdon.
Ndoshta Ai më do për personin që mund të isha, mendova. Kjo bënte kuptim. Kështu që vendosa të përpiqem të jem ai person. E dashur, e sjellshme, e dobishme, gjithmonë e gatshme për të frymëzuar dhe ngritur të tjerët.
Epo, ai ishte plani. Por edhe planet më të mira janë të padobishme nëse nuk mund t’i zbatoni ato. Dhe unë nuk munda. Unë u përpoqa të isha më e mirë, por tani që isha e vetëdijshme për të gjitha dështimet e mia, dukej se bëra vetëm më shumë gabime. Sado fort të përpiqesha, nuk mund të bëhesha personi që mund të isha, që mendoja se Zoti e donte aq shumë.
Më pas, më lindi kjo ide: Zoti nuk më do si personin që mundem ose duhet ose mund të jem! Ai më do për atë që jam! Mua, pikërisht tani, këtu. Të thyer, të copëtuar, të zhgënjyer. Ai nuk ka nevojë për një “sepse” për të më dashur. Dhe kjo vlen për të gjithë.
Do të të pëlqente të merrje faljen e Zotit? Ti s’bën gjë për të fituar shpëtimin, por Zoti ia jep lirisht të gjithë atyre që pranojnë Birin e Tij, Jezusin. Ti mund ta bësh atë duke e falur këtë lutje:
I dashur Jezus, unë e di që jam mëkatar dhe kërkoj faljen Tënde. Unë besoj se ti vdiqe për mëkatet e mia dhe dua të të besoj Ty si Shpëtimtarin tim tani e në vijim. Më ndihmo të të njoh me fjalët e tua në Bibël. Amin.