Një tjetër ditë e lodhshme dhe stresuese, më në fund mbaroi. Indinjata dhe lodhja më rëndonin pa masë, një kombinim bezdie e krijuar nga kompjuteri im acarues, qielli i zymtë me shi të imët dhe erërat e freskëta, zemërimi për djegien e pulës së darkës dhe dhjetëra bela të tjera.
Pas darkës me pulën e djegur, dola në një park aty pranë. Mamaja ime shpesh thotë se “natyra mund të qetësojë nervat e acaruara më mirë se çdo gjë tjetër,” dhe vendosa të provoja efikasitetin e këshillës së saj.
Shëtita nëpër park, duke gjysmë-shpresuar që ndonjë “magji” të funksiononte tek unë. Një paketë e hedhur cigaresh kërciti nën këpucën time, dhe disa lule të fishkura në një vazo u lëshuan të lodhura përpara meje. Pak më para, një fëmijë që ecte këmba-dorazi po qante ndërkohë që e ëma tërhiqte karrocën e tij, kurse pas meje, një çift i moshës së mesme po diskutonte me njëri-tjetrin. Duke psherëtirë e dëshpëruar, vendosa të kthehesha për në shtëpi.
Ndoshta, ishte një vendosmëri e nënvetëdijes për të gjetur “magjinë e natyrës” pavarësisht mjedisit aspak tërheqës, por u ktheva për t’u larguar, ndalova dhe pashë qiellin korb të zi. Ishte një mbrëmje me re, në të cilën nuk prisja të shihja ndonjë yll, por për habinë time, ishte një yll i vogël i bardhë që vezullonte. Ishte ylli i vetëm që dukej dhe shndriste aq shumë, sikur festonte që unë më në fund e vura re. Papritur kuptova se sa rrallë gjeja kohën për të vështruar qiellin. Pse nuk e shikoja atë çdo ditë që të shijoja bukurinë e tij të mahnitshme? Pse nuk e lejoja të më kujtonte Atë që krijoi qiellin dhe mua?
Ndërkohë që admiroja yllin e vogël të bardhë, m’u kujtuan vargjet hyrëse të Psalmit 19, të cilat i mësova përmendësh kur isha fëmijë: “Qiejt tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij. Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës. Nuk kanë as gojë, as fjalë; zëri i tyre nuk dëgjohet.” 1 Ndoshta, në vetë mënyrën e tyre, qiejt tregojnë historinë e dashurisë së Zotit tonë, i cili “na jep gjithçka bujarisht për ta gëzuar,” 2 na shkruan neve letra dashurie me bojën shumëngjyrëshe të ylbereve, agimit dhe perëndimit të diellit, dhe na shkel syrin përmes yjeve të vegjël të bardhë.
Ngrita vështrimin për ta parë për herë të fundit, para se të nisesha për në shtëpi. Dhe aty shndriste, si një dritë e vetme në errësirën e zymtë. Nuk kishte rëndësi që yjet e tjera ishin errësuar nga ndotja e ajrit dhe retë, ose se në netët e tjera ylli im mund të kishte qenë gjithashtu i zymtë; do ta dija që yjet janë akoma aty lart. Dhe kështu është edhe me dashurinë e Zotit, mendova unë. Është e vazhdueshme dhe kumbues, madje edhe kur përpjekjet dhe dyshimet duket se e rrethojnë atë. Asgjë nuk mund ta venitë; është gjithmonë këtu, duke pritur të depërtojë mjegullën dhe të shkëlqejë në jetët tona. Tani e di pse natyra i qetëson nervat e acaruara: përmes thagmave të saj, na pëshpërit mbi Dashamirësin e vërtetë dhe dashurinë e tij të përjetshme.