Më kanë pëlqyer gjithmonë lulet e kuqe dhe jeshile të ponsietës dhe kam menduar se ishin ngjyrat e tyre të gjalla që i bënin pjesë të zbukurimeve të Krishtlindjeve. Por nuk është vetëm kjo…
Sipas një legjende meksikane, në shekullin e 16-të, një vajzë e vogël fshatare me emrin Maria ishte e shqetësuar gjatë një Vigjiljeje Krishtlidjesh, pasi nuk kishte dhuratë për të lënë në altar pranë foshnjës Jezus në kishën e fshatit. Ndërsa ecte në faltore, e pikëlluar sepse varfëria nuk e kishte lejuar të bënte as edhe një dhuratë modeste, kushëriri i saj i vogël i tha se çdo gjë që do të dhuronte me zemër, sado e thjeshtë të ishte, Jezusi do ta pranonte nëse dhurohej me dashuri.
E nxitur nga ky mendim, Maria vrapoi përreth kishëzës, duke mbledhur barishte e duke bërë me to një buqetë të vogël. Ajo e dinte që nuk ishte shumë, por ajo u lut që dhurata e saj të përcillte gjithçka që kishte në zemër, sado e thjeshtë të ishte. Ndërsa ecte në altar për të çuar dhuratën e saj, u qortua nga disa njerëz që nuk po kuptonin lidhjen midis barishteve dhe Fëmijës së Shenjtë.
Megjithatë, e vendosur për të dhuruar buqetën e saj të vogël, Maria eci plot guxim drejt pjesës së përparme të kishës, u gjunjëzua, dhe vendosi buqetën e saj tek skena e lindjes së Krishtit. Sipas legjendës, buqeta me barishte shpërtheu në lule të kuqe flakë dhe të gjithë anëtarët e pranishëm të famullisë thanë se kishin parë një mrekulli Krishtlindjesh. Për këtë dhe për faktin se çel afër Krishtlindjeve, poinsetia (lulja me gjethe të kuqe dhe jeshile e Krishtlindjeve) u bë e njohur në Meksikë si “flor de Noche Buena” ose “lulja e Vigjiljes së Krishtlindjeve”.
Murgjit françeskanë në Meksikë filluan të përfshijnë këtë lule në zbukurimet e Krishtlindjeve gjatë shekullit të 17-të. Forma e luleve dhe gjethet të sjellin në mendje Yllin e Betlehemit, i cili udhëhoqi tre Dijetarët në vendin ku kishte lindur Krishti. Gjethet e kuqe simbolizojnë gjakun e Krishtit dhe gjethet jeshile premtimin për jetë të përjetshme.
Të zbulosh se kjo bimë e kuqe dhe jeshile është më shumë se ajo ç’ka shihet me sy, të nxit të kërkosh më thellë për kuptimin e traditave të tjera rreth Krishtlindjeve. Le të mbajmë mend gjithmonë se Zoti mund të transformojë edhe përpjekjet tona më të vogla në lule të ndritshme që dëshmojnë dashurinë e Tij për gjithë njerëzimin.