Kur fëmijët e mi ishin të vegjël, ne lexuam një material rreth një tradite të vjetër, që ekzistonte në shumë pjesë të Evropës, që nga mesjeta. Grupe të tëra fëmijësh dhe të rinjsh shkonin shtëpi më shtëpi duke kënduar këngët e Krishtlindjes dhe ndonjëherë mblidhnin kontribute për qëllim bamirësie.
Kështu që, edhe ne filluam ta bënim. Në fillim, m’u desh shumë kurajë për t’i rënë zileve të dyerve, por u mësuam t’u përgjigjeshim zërave të ashpër që pyesnin “Kush është?” nëpër ndërtesa. Përgjigjja jonë ishte plot ndjenja entuziazmi “Ne jemi Yjet Këngëtarë! Kemi ardhur të këndojmë për ju dhe t’ju urojmë Gëzuar Krishtlindjen!” Pothuajse gjithmonë, dyert hapeshin dhe njerëzit mblidheshin për të na dëgjuar, për të na duartrokitur dhe për të shkëmbyer përshëndetjet. Shumë veta e mbanin mend traditën e vjetër dhe na falënderonin që çuam shpirtin e Krishtlindjes në shtëpitë e tyre. Ne takuam dhe kaluam kohë me njerëz të vetmuar, me të moshuar dhe më të sëmurë.
Disa herë, mbetëm nëpër ashensorët e ndërtesave të apartamenteve dhe thjesht vazhduam të këndonim derisa dikush të gjente një mënyrë për të na nxjerrë. Një herë, dëshmuam si dy fqinjë, të cilët kishin vite që nuk flisnin me njëri-tjetrin, e falën njëri-tjetrin dhe i uruan njëri-tjetrit “Gëzuar Krishtlindjen!”
Teksa vitet kalonin, fëmijët e tjerë dhe të rinjtë na bashkoheshin dhe madje, disa nga nipërit e mi. Askush nuk ishte muzikant profesionist. Kërkesa e vetme e jona ishte të kishe shpirtin e mbushur me ngazëllimin e Krishtlindjes.
Një prag Krishtlindjeje, disa nga telat e kitarës sonë u prishën dhe gjërat nuk po na shkonin edhe aq mirë. Por ajo ishte hera kur ndodhi një nga ngjarjet më prekëse. Takuam një njeri me një këmbë në allci, i cili nuk kishte mundur të festonte Vigjiljen e Krishtlindjes për shkak të këmbës së tij dhe ishte shumë i trishtuar. Ne përfunduam duke kënduar një “cappella” dhe ai na tregoi fotot të të dashurve të tij, që jetonin shumë larg. Kur ne u larguam, ai na tha se kjo ishte Vigjilja më e bukur e Krishtlindjesk që kishte kaluar në shumë kohë.
Dhurata më e madhe
Nëse nuk e keni marrë ende dhuratën e Zotit që jua dërgon me zemër, Jezusin, ju mund ta pranoni tani dhuratën e tij duke thënë lutjen e mëposhtme:
Faleminderit, Jezus, që erdhe në tokë, që unë të mund të njihja dashurinë e Atit tim qiellor. Faleminderit që dhe jetën Tënde për mua, që unë të mund të pajtohesha me Të dhe të fitoja jetën e përjetshme në parajsë. Tani të pranoj Ty, Jezus, si Shpëtimtarin tim. Të lutem, më ndihmo të të njoh dhe të të dua me një dashuri të thellë dhe të veçantë. Amen.