Fjala hebraike bakah do të thotë “vajtoj”, dhe në kohën e Biblës ka ekzistuar një luginë me këtë emër në Izrael. Në mënyrë figurative, Lugina e Bakas është një vend në të cilin të gjithë kemi kaluar në një moment apo në një tjetër. Është një vend me vuajtje, dhimbje, vështirësi; një vend i shkretë, i thatë dhe me pluhur.
Psalmi 84 vë në pah një mendim të bukur sipas të cilit kurdo që ne kalojmë në këtë vend, kemi mundësinë ta kthejmë këtë vështirësi apo zhgënjim, këtë dhimbje apo problem, çfarëdo qoftë, në një bekim. “Kur kalojnë nëpër Luginën e Bakas, e shndrrojmë atë në vend burimesh dhe shiu i parë e mbulon me bekime. Kalojnë nga një forcë në tjetrën.” 1
Më kujtohet një mik që e ka bërë këtë. Para disa kohësh, ai u sëmur rëndë. Edhe pse u duk se jetës së tij produktive dhe plot aktivitet po i vinte fundi, ai e shndrroi Luginën e tij të Lotëve (Bakas) në një bekim të madh. Ai “hapi një pus atje,” dhe ishte inkurajim për shumë të tjerë. Ai lejoi “Bakan” e tij që të nxirrte në pah më të mirën e tij; ai e shndërroi “shkretëtirën” e tij në një vend të bukur, duke gërmuar thellë në zemrën e tij dhe në fjalën e Zotit.
Kur i beson premtimeve dhe mirësisë së Zotit edhe në momente hidhërimi dhe vuajtjesh, të tjerët do e shohin besimin tënd dhe kjo për ty dhe të tjerët, do të jetë si një pus në një vend ku ka thatësirë, vështirësi dhe pluhur. Atëherë besimi yt do shkëlqejë më fort: kur ai të bën të mposhtësh vështirësitë.
Ne mund ta gjejmë forcën për të patur sukses pavarësisht rrethanave, sepse na mbështet një Zot i gjithëfuqishëm dhe gjithë premtimet e Tij të mrekullueshme. “Por në të gjitha këto, jemi më tepër se fitimtarë, në sajë të Atij që na deshi. 2 Ne nuk kemi lindur për të qëndruar në atë luginë të thatë e të shkretë, apo thjesht për të duruar vuajtjet. Duke u afruar pranë Zotit dhe duke iu përmbajtur fjalës së Tij, mund të gjejmë shumë burime të gjalla uji.
Kjo është një gjë që vlen ta kujtoni herën tjetër që do të gjendeni në Luginën e Bakës.