E po, jo në kuptimin e parë të fjalës. Mund t’jua shpjegoj.
Në fillim të vitit të shkuar, bëra një premtim të mos blija më rroba apo këpucë të reja atë vitë. Kisha një sërë arsyesh për këtë:
Nuk më duheshin këpucë dhe rroba të tjera. Nuk jam nga personat e varur pas blerjeve dhe me një kombinim të blerjeve në shitjen e garazheve, ndonjëherë të blerjeve në internet dhe pasjes së shumë shoqeve vërdallë për të këmbyer, kisha tashmë shumë gjëra!
Kohët e fundit kisha lexuar rreth një lëvizjeje në rritje të njerëzve që kishin vendosur se do të mbanin vetëm 100 gjëra. 1 Bëra disa përllogaritje të shpejta dhe vendosa se nuk bënte për mua, por e adhuroja konceptin. Dhe s’kisha kursyer asnjë qindarkë në atë periudhë, por doja të ndryshoja këtë.
Dhe doli se përfundova duke marrë më shumë rroba dhe këpucë gjata atij viti seç kisha blerë disa vite bashkë, edhe pse s’kisha blerë asnjërën prej tyre. I mora falë kombinimit të vizitave me mamanë, motrën dhe kunatën, të gjitha kishin lënë mënjanë gjëra për mua dhe dhurata nga miqtë e tjerë. Sigurisht që jo çdo gjë ishte fringo e re, por disa ishin, dhe të gjitha bashkë ishin të reja për mua. Kështu që, lajmi i mirë është se pati shumëllojshmëri në gardërobën time dhe dollapin e garde-këpucën (a nuk duhet të jetë edhe kjo fjalë?) pa shpenzuar asnjë qindarkë për to.
U zgjova këtë mëngjes duke menduar për atë vendim dhe atë vit, si dhe për mënyrën si shkoi. Dyshoj vërtet që rikthimi në mendje i asaj situate të jetë lidhur disi me panikun që përjetova ditët e fundit duke menduar për situatën financiare të momentit. Jam shpërngulur kohët e fundit, duke sjellë shumë ndryshime në jetën time, duke u përballur me shumë, le të themi, ndryshime. Kam shumë përvojë në të qenit e kursyer, jam disiplinuar në shpenzimet dhe mbajtjen e buxhetit dhe mendoj se me pak kujdes, do të jetë gjithçka mirë.
Gjithsesi, ma merr mendja se m’u kujtua “viti im pa rroba” sepse Zoti po më kujtonte se siç më pëlqen mua ta them, “Problemet zgjidhen.” Gjatë atij viti, shpenzova më pak kohë dhe para në ndjekje të blerjeve që në fakt, përfundoi duke mos pasur asnjë mungesë. Nëse në të ardhmen e afërt apo të largët, ka ndonjë muaj, apo edhe vit, kur më duhet të rri pa blerë një gjë të caktuar, ndoshta mund të besoj se Zoti do të ma sjellë në ndonjë mënyrë të papritur? Besoj se po.
Shpesh ndiej se kam shumë për të treguar në lidhje me shfaqjet e përfshirjes dhe veprimtarisë së Zotit në jetën time. E dua atë, kalojmë kohë së bashku, dhe e di që ai është gjithmonë pranë meje, por herë pas here ndokush më pyet t’i tregoj rreth “ndonjë gjëje të mrekullueshme apo mrekullie që ka bërë Zoti për ty,” dhe mundohem dhe zakonisht nuk më vjen gjë ndërmend.
Ndihesha shumë keq për këtë, derisa nisa të pranoja që jeta ime është ndoshta një prej rasteve kur Zoti nuk punon në mënyrë të “dukshme”. Është e drejta e tij dhe unë s’kam të drejtë të pres që Ai të më trajtojë në një mënyrë të veçantë. Por më pas, ka gjëra të vogla të bukura si kjo, kur mund të shoh vend pas kuvendi, në të cilat Zoti fare mirë mund të ketë vënë dorë që gjërat të zgjidheshin. S’arrij ta besoj që Ai kujdeset për mua, po aq sa unë mundohesha të blija më shumë këpucë, por Ai të paktën, u kujdes të më ndihmonte të kuptoja se nëse besoja tek Ai, do të kisha gjithmonë ç’kisha nevojë dhe ndonjëherë, madje, atë që dua, edhe nëse nuk është përmes rrugëve që pres apo nëpërmjet planeve të mia të mirë menduara.
Një tjetër gjë që kuptova gjatë “vitit pa rroba” ishte sa shumë kisha, në shumë mënyra. Për shembull, kisha punë në një kohë kur shumë njerëz s’kishin. S’kam qenë kurrë e pastrehë. Dhe ndryshe nga ç’mund të keni menduar kur lexuat titullin e këtij artikulli, as nuk më është dashur të vuaj për rroba! Kam marrë gjëra goxha të mira.
Nga ana praktike, ky eksperiment gjithashtu më bëri të shtoja aktivitetet e mia, gjë që është e mirë, sepse m’u desh të reduktoja shumë gjëra, kur u shpërngula herët këtë vit.
Si përfundim, jam ndier më e pasur që atëherë.