—Një ritregim imagjinar i ngjarjeve kryesore tek Veprat e Apostujve, kapitulli 2.
Nga Chris Hunt
“Trazira” më vijnë ndërmend kur mendoj për të. Nuk mund ta harroj herën e parë kur e takova. Isha në sinagogë në mësimin e zakonshëm të së Shtunës. Judit është një grua e moshuar e ve, e cila ishte shumë e kërrusur. Ajo shkoi të takonte këtë Mësues për t’i kërkuar ndihmë. Më pas, ajo po e mbante kurrizin drejtë për herë të parë pas shumë vitesh! Si ishte e mundur vallë? 1
I kuptova gjërat më mirë, më vonë. Gëzoj shëndet të mirë dhe mund të them që jam edhe i suksesshëm ndaj nuk po i ndiqja zhvillmet e tij për shkak të ndonjë nevoje apo dëshpërimi timin. Por i ndiqja sepse më pëlqente ta dëgjoja ndërsa fliste, më pëlqente të shihja fytyrat e njerëzve kur i çlironte nga dhimbja, kur i shëronte, kur i mbushte me shpresë. Çdo gjë që kishte të bënte me të dukej e mrekullueshme.
Nuk kisha kohë dhe as dëshirë të lija gjithçka pas dore siç kishin bërë përkrahësit e tij më të afërt, por isha i lumtur ta shihja dhe ta dëgjoja kur më jepej rasti. E prisja ta shihja kur shkova në Jeruzalem për Pashkë, dhe nuk u zhgënjeva. Edhe atje kishte trazira rreth tij ndërsa ecte nëpër qytet. I mbërthyer në atmosferën e gëzueshme u gjenda duke valëvitur degë palme së bashku me turmën. Ndoshta ai do ta ndryshonte vërtetë botën tonë! Ishte një njeri shumë i mirë, dhe kush e dinte ndoshta, edhe më shumë se thjesht një mësues tjetër? Kisha dëgjuar se disa po e thërrisnin Mesia, shpëtimtari i njerëzve tanë.
Por, thashethemet e disa ditëve më pas, ma pikëlluan zemrën — thonin se e kishin arrestuar. Kur dëgjova se e kishin sjellë para Pilatit, nuk mund ta besoja. I dënuar me vdekje si një kriminel i rëndomtë? Me siguri kishte diçka gabim! Çfarë kishte bërë për të merituar këtë? Sigurisht që e dija se drejtuesit e tempullit ishin xhelozë për popullaritetin dhe suksesin e tij, por kjo nuk ishte arsyeja e duhur për t’ua dorëzuar Romakëve.
Nuk mund ta duroja të shkoja diku afër ekzekutimit. Më dukej shumë e padrejtë. Sa më shumë e mendoja, aq më pak e kuptoja se ç’kishte ndodhur. Ai kishte predikuar një mesazh dashurie për Zotin dhe njeriun; kishte ndihmuar të pashpresët. Kishte sakrifikuar gjithçka për të tjerët. Dhe kur erdhi ky moment, a nuk mund të ndërhynte Zoti, të bënte një mrekulli për ta shpëtuar?
Doja të flisja për paqartësitë që kisha me disa nga përkrahësit e tij, por nuk i gjeta. Thuhej se po fshiheshin. I ndodhur në ato kushte, u ktheva në fshatin tim, ende i llahtarisur. E dija që nuk kishte më asnjë shans që Jezusi të vinte sërish në tokat tona, dhe më mungonte shumë. Ai mësues i mrekullueshëm — kam përshtypjen se kishte qenë thjesht një tjetër mësues — vdiq dhe u varros.
Shtatë javë më vonë u ktheva në Jeruzalem për Shavuot, festivalin që mbahet për të festuar publikimin e Ligjit të Moisiut. Doja të diskutoja disa pyetje të miat me pasuesit e tij, por duke menduar se si ata u zhdukën pas ekzekutimit të tij, nuk kisha shumë shpresë te ta.
Dukej sikur s’kishte ndryshuar asgjë, as në qytet e as tek unë vetë. Kisha qenë i mërzitur që prej Pashkëve, dhe vetë qytetin dukej sikur e kishte zënë errësira, sikur të ndjehej fajtor ndaj shumë banorëve të tij që kishte mbajtur ekzekutimin e një njeriu të pafajshëm.
Kishte turma njerëzish përreth, madje edhe shumë të huaj. Dhe ja ku i pashë sërish – dhe ashtu siç pritej, kishte shumë lëvizje përreth tyre. U kënaqa që i pashë pasuesit e Jezusit shëndoshë e mirë — u kënaqa për ta, por edhe për vete, sepse tani mund t’i pyesja se ç’kishte ndodhur. Por para se të gjeja një mundësi për t’iu afruar, njëri prej burrave filloi të fliste. Me zë të lartë dhe qartë.
Nuk mund t’u besoja veshëve. E dija, sigurisht, që Jezusin e kishin vrarë, por sipas Pjetrit, ai ishte ringjallur! Dëgjoja me habi se si i citonte dhe shpjegonte shkrimet e shenjta. Ai nuk u ndal vetëm me kritikën ndaj turmës për qëndrimin që kishte mbajtur kur Jezusi u kryqëzua, por ofroi një rrugë pajtimi: ’Ndryshojeni jetën tuaj. Kthehuni nga Zoti dhe pagëzohuni…në emër të Jezu Krishtit, në mënyrë që t’ju falen mëkatet.” 2
Ai foli gjatë, duke shpjeguar dhe duke u lutur me ne për të marrë dhuratën e Zotit. Nuk munda të flas personalisht me të apo me të tjerët, por nuk pata nevojë. I hapa zemrën lutjes. I kushtova veten time. Gjëja më e mirë që kam bërë ndonjëherë! Tani po punoj me besimtarët e tjerë që t’u bëj të ditur se Zoti na deshi aq shumë saqë dërgoi Birin e Tij të vdiste për ne, që ne të shpëtonim. 3
Po, Jezusi po shkakton përsëri trazira.