Ishte një ditë e bukur pranvere. Një erë e lehtë, e ngrohtë dhe ledhatuese lajmëronte ardhjen e stinës. Të gjithë rreth meje ishin në humor të mirë. Por ndodh shpesh në ditë si këto, atëherë kur nuk e presim, që Zoti të na surprizojë me një mësim.
Atë mëngjes, mora një letër nga një shoqe. Në të ndodhej një lajm shumë i keq dhe i pakëndshëm – mjaft i keq sa për të më zhytyr varkën e lumturisë me të gjithë ata që kisha rreth e rrotull. U ndjeva e shkatërruar. Papritur hareja e njerëzve rreth meje po më acaronte. Doja të largoheshin të gjithë dhe të merrnin me vete shkëlqimin e tyre.
Në kokë më vlonin mendime të zymta e të pakëndshme kur fqinja më mori në telefon.
“Mjeku ma la takimin pak më herët sot pasdite dhe kam një problem. Nuk do ketë njeri në shtëpi për t’u kujdesur për Valerian. A mund të rrish me të derisa të kthehem?”
Varka bëri zhurmën e fundit para se të fundosej. Bebisiter? Unë? Gjëja e fundit që doja ishte të ndosja pafajësinë e saj fëmijnore me gjëndjen time të mjerueshme të atyre momenteve.
U përpoqa t’i shmangesha por më në fund pranova. I gjori fëmijë!
Në pak kohë e pashë veten në banesën e tyre, e stresuar dhe gjithë mërzi.
Valeria hyri me gëzim. “Kam lapsa të rinj me ngjyra!” – bërtiti fort.
Ajo po buzëqeshte dhe unë e binda veten të bëja të njëjtën gjë. “Si thua…..do ngjyrosim?”
Ajo pohoi me kokë pastaj u largua për t’u kthyer me një çantë plot me mjete vizatimi.
Të them të drejtën, nuk më bëhej të ngjyrosja, por u përpoqa dhe e ndihmova Valerian të zbrazte çdo gjë në tavolinë. Vendosëm një disk të Çaikovskit dhe nisëm të ngjyrosim foton e një femre të papërmbajtur me flokë shumëngjyrëshe që valëviteshin.
Për çudi, koha fluturoi ndërsa unë isha zhytyr me emocion në utopinë e muzikës klasike dhe të artit.
Në fakt, nuk e di nëse do ta quanit “art” ndaj le t’i themi “terapi.”
Pas tre orëve, kishim bërë disa kryevepra abstrakte, kishim dëgjuar gjithë Liqenin e Mjelmave, dhe unë kisha gjetur paqe. Me mendje të kthjellët kuptova se kur ndihesh e zhgënjyer dhe kalon katastrofat e jetës, ka gjithmonë një zgjidhje.
E imja ishte e thjeshtë. E papritur. Kthjelluese.
Dhe shumë e këshillueshme.