Secili prej nesh është marrës i dashurisë dhe kujdesit të Zotit. Të jesh mirënjohës ndaj Zotit na mbush me ndjenja mirënjohjeje për jetën dhe për gjithçka që ajo sjell në rrugëtimin tonë. Kur ndalojmë një moment dhe shohim përreth, kur shohim zogjtë, qiellin, panoramën, lulet, gjelbërimin, kur reflektojmë mbi gjërat që shijojmë, për dashurinë që kemi dhe që ndajmë me të tjerët, për fëmijët tanë, për përvojat tona, ne gjejmë shumë arsye për të qenë mirënjohës. Nuk është habi, që në Bibël flitet kaq shumë për mirënjohjen dhe falënderimin.
Mirënjohja na bën të përqendrohemi në gjithë gjërat e mrekullueshme që kemi, në vend që të humbasim kohë duke menduar çfarë kemi humbur dhe çfarë nuk kemi marrë ende. Duke pranuar që kemi shumë, dhe duke u përqendruar me mirënjohje në këtë begati, hapet dera për më shumë bekime të Zotit në jetët tona, siç e përjetova edhe unë vetë, kohë më parë kur nisa xhirimin e një seriali videosh mbi alegorinë e Jezusit.
Seanca ime e parë filmike nuk shkoi edhe aq mirë, në fakt, shkoi si mos më keq! Më mori shumë më shumë orë seç prisja për të krijuar pamjet përfundimtare, dhe e mbylla atë shumë i dekurajuar nga mungesa e aftësive të mia të prezantimit. Më vonë, kur unë po lutesha për mënyrën sesi shkuan gjërat, kuptova se kishte shumë gjëra për të cilat të ndihesha mirënjohës. Ndihem vërtet i bekuar që jam në gjendje t’i studioj këto fragmente dhe të shpërndaj fjalët, që të ndryshojnë jetën,fjalë të cilat Jezusi m’i tha përmes alegorive të tij. Ndihem mirënjohës për pajisjet e mira që mund të përdorja dhe për teknologjinë që lejoi shpërndarjen e përmbajtjes, veçanërisht për mesazhin e krishterë, anë e mbanë. Ndihem mirënjohës për mënyrën si besimi im rigjallërohet çdo ditë, kur studioj dhe e përgatis këtë material, dhe kur jam i dobishëm për Zotin pavarësisht gjithë të metave të mia.
Si më shërben mua shprehja e mirënjohjes në këtë mënyrë? E po, së pari, më nxiti zemrën dhe shpirtin tim disi të dekurajuar. Më ndihmoi të përqendrohesha përsëri tek Jezusi dhe në qëllimin pas këtij projekti, në vlerat e tij, dhe në arsyen se përse e nisa fillimisht atë. Dhe kjo më ringjalli shpresat se edhe pse seanca ime e parë filmike kishte qenë rraskapitëse, tjetra do të ishe më mirë. Më ndryshoi pritshmëritë dhe më mbushi me kurajë të re.
Kur erdhi koha për të përgatitur videon tjetër të serialit, u luta me gjithë shpirt që kjo seancë të shkonte më mirë, gjithashtu duke falënderuar Zotin që e bekoi këtë projekt dhe më fali dhuntitë që kam, jam i lumtur të them se xhirimet shkuan shumë më mirë dhe më morën më pak kohë.
Diçka që më ndihmoi të shprehja mirënjohjen në jetën time, ishte mbajtja e një ditari mirënjohjeje. Më pëlqen që më kujton se çfarë ka bërë Zoti për mua, sa shumë gëzime kam në jetën time, lutjet u përgjigjën, fitoret fituan, gjërat që Ai ka bërë në jetët e të dashurve të mi. Më kujton se Zoti është i përfshirë në jetën time, dhe më bën ta dua dhe ta falënderoj Atë gjithmonë e më shumë.
Tani, përpiqem të inkurajoj të tjerët që gjithashtu të mbajnë një ditar mirënjohjeje. Do të kuptoni sesa e veçantë është çdo ditë, dhe sesi gjërat e vogla janë gjëra të mrekullueshme. Duke ndaluar t’i shkruani ato, do t’i vini re më shumë dhe do t’i vlerësoni akoma më shumë. Të jesh mirënjohës për të mirën, bën që të ndodhin të tjera gjëra të mira.
* * *
Sa më shumë të shprehni mirënjohjen për atë që keni, do të keni aq më shumë gjëra për të shprehur mirënjohje.—Zig Ziglar (1926–2012)
Mirënjohja zbërthen plotësinë e jetës. E kthen atë që kemi në të mjaftueshme, dhe më shumë. Kthen mohimin në pranim, kaosin në rregull, pështjellimin në qartësi. Mund të kthejë një vakt në një gosti, një banesë në një shtëpi, një të panjohur në një mik. Mirënjohja i jep kuptim të shkuarës tënde, sjell paqe në të tashmen, dhe krijon vizion për të nesërmen.—Melody Beattie (b. 1948)
Ne lutemi për gjërat e mëdha dhe harrojmë të falënderojmë për dhuratat e vogla dhe të zakonshme (që në realitet, nuk janë edhe aq të vogla).―Dietrich Bonhoeffer (1906–1945)
Filloni duke e falënderuar Atë për diçka të vogël, dhe më pas vazhdoni, ditë mbas dite, duke i shtuar temat në lavdërimet tuaja; si rrjedhim do të kuptoni se numri do të rritet në mënyrë të konsiderueshme; dhe, në të njëjtin përpjestim, do të zvogëlohen edhe temat e gumëzhitjes dhe të pakënaqësive, derisa të shihni në gjithçka ndonjë arsye për të falënderuar. —Priscilla Maurice (1811–1854)
Zhvillonin një shpirt mirënjohës! Do të jetë për ju një gosti e përjetshme. Nuk ka, ose nuk duhet të ketë, me ne gjëra të tilla si bekime të vogla; të gjitha janë të mrekullueshme, sepse më të voglat janë të pamerituara. Në fakt, një zemër vërtet mirënjohëse do të gjente arsye për mirënjohje në gjithçka, duke i dhënë rëndësi edhe bekimeve më të vogla. — John Ross Macduff (1818–1895)
Ne duhet të kujtojmë qëllimisht gëzimet e udhëtimit tonë. Ndoshta, ne duhet të përpiqemi të shkruajmë bekimet e një dite. Ne mund të fillojmë; mund të mos mbarojmë kurrë; pasi nuk ka mjaftueshëm stilolapsa apo fletë në gjithë botën. —George A. Buttrick (1892–1980)