Kush nuk ka provuar ndonjëherë zhgënjim? Ndoshta një mik ju ka braktisur; ndoshta një ngritje në detyrë nuk u arrit; ndoshta ajo që e mendonit si dashuri të përjetshme përfundoi në një divorc; ndoshta kishit ëndrra të mëdha për fëmijët tuaj, por ata ndoqën një rrugë tjetër.
Bibla përmban shumë histori me prindër që u është dashur të përballen me pasardhës që i zhgënjyen. Absalomi dëshironte të zinte fronin e babait të tij, Davidit dhe ndërtoi një ushtri që kundërshtonte hapur sundimin e tij. 1
Moisiu është një tjetër personazh i Biblës që provoi zhgënjimin. Zoti e zgjodhi atë për të liruar Izraelitët nga skllavëria egjiptiane dhe më në fund ia dolën mbanë duke shkuar në shkretëtirën e Sinit; por kur Moisiu ndodhej në mal duke marrë Dhjetë Urdhëresat nga Zoti, njerëzit u larguan nga Zoti dhe adhuruan një viç të artë. Moisiu u zhgënjye dhe u mërzit aq shumë, sa theu pllakat e gurit që përmbanin Fjalët e Zotit. Më pas iu desh të rikthehej në mal t’i merrte sërish. 2
Kur zhgënjehemi për shkak se pritshmëritë që kemi për diçka apo dikë nuk arrihen, ne dekurajohemi, humbasim besimin dhe madje izolohemi ndaj botës së jashtme. Mund të jemi të pakënaqur, të mërzitur e të ashpër dhe e parë në një shtrirje afatgjatë, kjo gjë mund të na përkeqësojë shëndetin. Megjithëse këto janë reagime normale, ekziston një rrugë më e mirë. Në fakt, zhgënjimi nuk duhet të na shkatërrojë; por të na japë një mësim.
Katër këshilla për të tejkaluar zhgënjimin:
- Pranoje që njerëzit nuk janë të përkryer, dhe as njëlloj si ti. Ata nuk mendojnë si ti, nuk i shohin gjërat siç i sheh ti dhe shumë shpesh, nuk reagojnë njëlloj si ti ndaj situatave të caktuara. Pranoje dhe kupto se prioritetet e të tjerëve nuk janë domosdoshmërisht të njëjta me prioritetet e tua.
- Pranoje që në jetë do të kalosh shumë situata. Disa do të pëlqejnë e disa jo. Jeta nuk duhet të jetë perfekte, tërësisht e lumtur ose e suksesshme që t’ia vlejë të jetohet.
- Mëso të jesh elastik kur je përballë një situate që nuk po shkon siç kishe shpresuar. Një degë e thatë peme thyhet lehtësisht kur ushtron forcë mbi të, ndërsa një degë e gjelbër e plot jetë thjesht përkulet.
- Shiko anën positive të çdo gjëje dhe pyet veten, Çfarë mund të mësoj nga kjo? Si mund ta përdor si diçka positive? Nëse kërkojmë Zotin në çdo situatë me të cilën përballemi, ajo që mund të jetë dukur negative mund të kthehet në diçka positive.