Disa vite më parë, drejtoja një grup rinor këngëtarësh që përbëhej kryesisht nga adoleshentë. Ata ishin të gjithë muzikantë dhe këngëtarë të talentuar, dhe puna ime ishte të ndihmoja më tej në trajnimin e tyre muzikor.
Më pëlqeu shumë detyra ime e “regjisë”, ndoshta, më shumë se ç’duhej. E shihja veten si udhëheqës dhe gjithmonë duhej të kisha fjalën e fundit, veçanërisht në lidhje me atë se si po tingëllonim dhe si duhej të tingëllonim. Isha krenar për veshin tim të mprehtë për muzikën, dhe irritohesha jashtëzakonisht kur vihej pak në dyshim, ose kur ndonjë defekt i vogël vihej në dukje në mënyrën se si luaja në kitarë apo këndoja. Në mendjen time, isha ai me më shumë talent dhe përvojë, dhe të tjerët ishin praktikantë.
Një gjë që u vu në dukje në mënyrë të përsëritur ishte prirja ime për të shpejtuar tempon e këngëve kur luaja në kitarë. Ata në grup, si dhe të tjerët që dëgjuan provat tona, këmbëngulën se po e bëja këtë, por refuzova ta pranoja, deri një ditë kur po i bija daulleve ndërsa ngeca me një grup tjetër muzikantësh më me përvojë. Sigurisht që, basisti na ndërpreu herët dhe tha, “Mbaje të qëndrueshme, Stiv. Po e shpejton vërtet tempon”.
U trondita, por këtë herë, vëzhgimi po vinte nga një muzikant, talenti dhe përvoja e të cilit i tejkalonin shumë të miat. Kjo më bëri të mendoj. Gjërat kishin qenë mjaft të tensionuara në grupin e këndimit për ca kohë, dhe unë do ia atribuoja këtë gati të gjithëve përveç vetes.
Më vonë, i tregova një prej miqve të mi për vështirësitë e mia të fundit me grupin që po drejtoja, dhe kuptova se fajtori mund të jem unë. Kur mbarova, ajo tha diçka se si një udhëheqës me të vërtetë i mirë duhet të dijë gjithashtu se kur dhe si të jetë një ndjekës i mirë.
Fjalët e saj dukej sikur po e kthenin botën time përmbys. Në të njëjtën kohë, tingëllonin të vërteta. Pyesja veten se si mund të mësoja të “ndiqja” këshillat e atyre që po trajnoja, të cilët ishin shumë më të rinj dhe me më pak përvojë se unë, por kur u përpoqa ta vendosja veten në vendin e tyre për një moment, imagjinova se sa të nënvlerësuar i kisha bërë ata të ndiheshin.
Për më tepër, kuptova se nëse të rinjtë që po trajnoja do të lulëzonin me të vërtetë në rolet e tyre në grupin e këndimit, ata kishin nevojë për inkurajim për të përqafuar potencialin e tyre të plotë dhe për të shtyrë kufijtë e asaj që ishin të aftë të bënin. Kuptova se kisha efekt të kundërt mbi ta, dhe isha i vendosur të ndryshoja.
Në rastin e parë që pata, thirra grupin, i kërkova falje për mënyrën se si kisha vepruar, dhe u bëra të ditur se që tani e tutje, do të filloja të kërkoja dhe vlerësoja kontributin dhe këshillat e tyre.
Që atëherë e tutje, bëra më të mirën time për t’i parë ata si shokë dhe kolegë, në vend të praktikantëve të thjeshtë. Gjërat shkuan shumë më mirë, pasi kishte një rrjedhë të pandërprerë të komunikimit të sinqertë dhe të kontributit nga njëri-tjetri. Provat tona ishin argëtuese në vend të stresuese, dhe shfaqjet tona prekën jetët tona me dashurinë e Zotit.
Kujtimet që mbaj nga koha ime në atë grup janë të paçmueshme. Megjithëse që atëherë kemi vazhduar të ndjekim thirrjet dhe karrierat e ndryshme, miqësitë mes nesh mbeten të forta.
1 Pjetrit 5:5 na thotë “nënshtrojuni të gjithë njëri-tjetrit dhe vishuni me përulje.” Megjithëse e kisha memorizuar këtë shkrim si një fëmijë, kjo përvojë më tregoi se si ta jetoja atë.