Kam dëshiruar gjithmonë të kem një kamion plot me para, të cilat t’i përdorja për të ndihmuar të tjerët. Shumë njerëz që njoh kanë nevojë për ndihmë financiare për një gjë apo tjetër, dhe do të ishte mrekulli të kisha mjetet t’i ndihmoja. Ëndërroj të vij një ditë dhe t’u jap shumë para të thata miqve të mi, familjes sime dhe të tjerëve, si dhe t’i shoh ata të dalin nga brengat financiare dhe të jenë të lirë të shijojnë jetën pa stresin që paraja u shkakton. Por tani, nuk i kam ato mjete.
Edhe pse ideja të jem mirëbërës është ende një ëndërr e madhe, kam dalë në një përfundim tjetër: Nuk është detyra ime të luaj rolin e Zotit.
Kjo nuk do të thotë që s’mund të jemi partnerë me Zotin në punën e Tij pasi Ai është një Zot i mirë, i dashur dhe bujar. Por ne jemi partnerë shumë të vegjël. Kemi një votë, mund të flasim, por vendimi s’është i yni. Zoti ka një plan dhe Ai e di çfarë dëshiron të përmbushë në jetën dhe përmes jetës së çdo individi apo familjeje.
Po lexoja mbi shumë mrekulli që Jezusi ka bërë në tokë, dhe e vetmja që kishte të bënte me paratë, ishte kur dishepujt duhet të paguanin një taksë. Ai çoi Pjetrit të kapte një peshk, brenda gojës së të cilit gjendej një monedhë, e cila ishte e mjaftueshme për të paguar taksën. 1 Por edhe në këtë rast, plotësoi një nevojë të menjëhershme dhe nuk e shumëfishoi si bukën dhe peshkun. Dola në përfundimin se sado që jam i tunduar të shqetësohem për paratë, s’besoj se Zoti shqetësohet sadopak për to.
Mund të bësh shumë gjëra me para, por paraja nuk e blen lumturinë. Studimet kanë treguar që respekti dhe vlerësimi i të tjerëve ka të bëjë më shumë me lumturinë sesa statusi dhe pasuria. Kur mbulohen nevojat bazike, lumturia arrin qëndrueshmërinë dhe fitimi i më shumë parave nuk i rrit ndjenjat e kënaqjes. Dhe nëse respekti dhe vlerësimi i të tjerëve na bën të lumtur, atëherë, a nuk duhet të na lumturojë vërtet vlerësimi dhe dashuria e Zotit?
Në fakt, na lumturon. Autori i psalmeve shkroi, “Lum ai popull që është në gjendje të tillë, lum ai popull që ka për Perëndi Zotin!” 2 Kjo s’është thjesht një fjali, por është formula për lumturinë. Kur jemi në rregull me Zotin, jemi të lumtur.
I rikthehem frazës “të luash rolin e Zotit”. E kam ende atë dëshirën e madhe të jem në gjendje të ndihmoj të tjerët financiarisht, por më duhet të kem parasysh që kjo s’ka për të qenë më e mira për njerëzit e përfshirë. Vetëm Zoti e di, dhe bëj mirë të zbrapsem dhe ta lë Zotin të luajë rolin e Tij.