Është Vigjilje Krishtlindjesh. E kisha me nxitim, po përpiqesha të përfundoja punën shpejt dhe të përgatitesha për mbrëmjen me familjen dhe miqtë e mi, kur ra telefoni. U përgjigja me padurim, “Po, përshëndetje?”
“Gëzuar Krishtlindjen, Lilia!” zëri në anën tjetër, thërriti me gëzim një zë që fliste një anglishte me theks.
“Sesilia?” e pyeta. “Gëzuar Krishtlindjen! Si je?” Pas përshëndetjeve të zakonshme dhe bisedave të shkurtra, Sesilia më shpjegoi, se ajo ishte turni i tretë te spitali ku u takuam fillimisht. Si mamisë më të vjetër dhe si grua e vetme, i kishte rënë asaj shorti të bënte turnin e natës këtë Krishtlindje. Zakonisht, ajo udhëtonte në jug për të kaluar Krishtlindjen me familjen e saj dhe të merrte pjesë në organizimet e Komunitetit të Shenjtë në fshatin e vogël nga vinte, dhe ajo dukej e brengosur dhe e zhgënjyer.
Si instruktore e lindjes natyrale, u miqësova me Sesilian, kur po merrja pjesë në një lindje. Qëndruam në kontakt me njëra-tjetrën dhe e vizitoja ndonjëherë, kështu, u bëmë shoqe.
Sesilia nuk u martua kurrë, por kishte rritur fëmijët e vëllait të saj të vogël, i cili ndërroi jetë në një aksident me makinë, rreth njëzet vite më parë. Kur fëmijët u shpërngulën, Sesilia mbeti vetëm.
Ndjeva në zemër një nevojë, t’i thoja se do të shkoja ta takoja atë natë. M’u duk e befasuar dhe madje, u emocionua, por më tha të mos shqetësohesha nëse nuk arrija të shkoja. Në fund të fundit, ishte prag Krishtlindjeje dhe unë duhet ta kaloja këtë kohë të veçantë me familjen time, tha ajo.
Erdhën të gjithë dhe unë përkohësisht e harrova Sesilian ndërkohë që shijonim shoqërinë e njëri-tjetrit, kënduam këngët e Krishtlindjes, pimë çokollatë të ngrohtë, dhe shijuam biskotat e bëra në shtëpi të Krishtlindjes. Ishte pothuajse mesnatë, kur diçka më kujtoi premtimin që i bëra Sesilias. Kënga e Krishtlindjes që sapo kënduam, “Ai u Largua Nga Parajsa, Vetëm Për Dashuri Atë Natë,” më bëri të ndihesha e turpëruar që nuk u përpoqa të largohesha nga parajsa ime e vogël për të gëzuar një shpirt të vetmuar.
Me shpejtësi mbusha një termos të vogël me çokollatë të ngrohtë, mbështolla disa biskota me një pecetë të kuqe Krishtlindjeje, dhe përgatita një kartolinë të bërë vetë me një mesazh dashurie dhe vlerësimi për përkujdesjen besnike që Sesilia tregonte për të gjitha gratë që lindnin në spitalin e saj. Mora një qiri dekorativ Krishtlindjeje për t’ia dhuruar dhe një kuti me shkrepëse për ta ndezur dhe u nisa pak përpara mesnatës.
Spitali ishte i qetë dhe pothuajse i shkretë, pavijoni i lindjeve ishte në errësirë. S’paska lindje sot, mendova. Pyes veten a do të jetë shtrirë të flejë. Trokita qetësisht në derë.
“Kush është?”
“Sesilia, jam unë, Lilia!” Pas disa sekondash heshtjeje, dera anësore e pavijonit u hap dhe Sesilia vrapoi drejt meje me krahët e hapura, fytyra e saj rrezatonte. Duke më përqafuar, ajo shpërtheu në lot, “E dija që do të vije! E dija!” U mundova të mbaja lotët dhe në heshtje falënderova Zotin që më dha shtysën të shkoja ta vizitoja.
“Sesilia,” i thashë, “Të solla pak çokollatë të ngrohtë. Le ta festojmë Krishtlindjen së bashku!”
“Po marr dy filxhanë,” tha ajo duke u larguar. Kur u kthye, pamja e gëzimit dhe e mirënjohjes në fytyrën e saj, ishte e vetmja gjë që më duhej për të konfirmuar se sa e vetmuar ndihej atë natë.
U ulëm së bashku, duke pirë çokollatën e ngrohtë dhe duke shijuar biskotat e Krishtlindjes. Ne folëm, qeshëm, dhe madje tentuam të këndonim një këngë Krishtlindjeje së bashku. Sesilia tha shumë e shumë herë, se nuk do ta harronte kurrë këtë Krishtlindje, dhe se ishte Krishtlindja më e bukur që kishte kaluar.
Para se të largohej, e pyeta nëse mund të lutesha për të. Nuk e kisha mbaruar fjalinë, kur ajo në këmbim filloi të hapte zemrën duke e falënderuar Atë. Ajo vazhdoi gjatë të lutej, ndërkohë që një lot i rridhte nëpër faqe. Ishte e qartë që kjo pjesë e vogël dashurie dhe përkujdesjeje kishte arritur thellë në zemrën e saj.
* * *
Në Krishtlindje, dhe çdo ditë tjetër të vitit, të gjithë ne brenda të cilëve banon Shpirti i Zotit jemi në një farë mënyre një shtirje e Zotit në komunitetin tonë, për miqtë dhe fqinjët tanë, kolegët tanë, njerëzit që na shërbejnë nëpër dyqane apo restorante, dhe të huajve që Ai na nxjerr përballë në rrugët tona. Dashuria që tregojmë përmes ndërveprimit tonë me të tjerët, fjalët që themi dhe veprimet që ndërmarrim, mirësia dhe bujaria që tregojmë, dora e ngrohtë që ofrojmë për ndihmë, reflektojnë Shpirtin e Shenjtë që banon brenda nesh. Të tjerët mund të dallojnë diçka jo të zakontë dhe të veçantë tek ne, dhe kur ne shpjegojmë që Zoti është me ne dhe mund të jetë gjithashtu me ta, ne ndihmojmë në përmbushjen e arsyes më të rëndësishme të Krishtlindjes. — Peter Amsterdam
Krishtlindja është shpirti që jep, pa pasur qëllimin të marrë. Është lumturi sepse shohim gëzimin te njerëzit. Është të harrosh veten dhe të gjesh kohë për të tjerët. Është të heqësh dorë nga e pakuptimta dhe të theksosh vlerat e vërteta. — Thomas Monson (b. 1927)