Jam pensioniste por ende bëj një jetë aktive. Nëse kthej kokën pas nga vitet që shkuan, shoh të mirat që kam marrë nga koha që kam kaluar me Zotin  në qetësi çdo mëngjes, para se të fillonte dita me angazhime. Po ju tregoj 5 hapa që më kanë ndihmuar të jem e motivuar shpirtërisht gjatë gjithë ditës. Mund të jenë të vlefshme edhe për ju.

Stakojini të gjitha: Përpiqem sa më shumë të jetë e mundur të qëndroj larg çorientimeve dhe shqetësimeve që sjellin pajisjet elektronike nëpërmjet njoftimeve, mesazheve të shkruara dhe zanore, dhe e-mail-eve. Më pëlqen të ulem në verandë dhe të kem me vete vetëm Biblën, një fletore dhe stilolaps.  

Çlodhuni: Unë jam një njeri shumë i dhënë pas punës. Nëse nuk tregohem e kujdesshme, edhe koha e lirë që kam mund të kthehet në një angazhim që kam për të bërë. Më duhet që me ndërgjegje të plotë, të zgjedh të çlodhem dhe të shijoj momentet e mia me Zotin. Ai nuk e ka me ngut, përse duhet ta kem unë?

Jini Mirënjohës: Filloj duke shkruar pesë gjëra nga dita e shkuar për të cilat jam mirënjohëse. Kjo zakonisht ndihmon në rritjen e humorit. Ashtu siç thotë edhe Fjala e Zotit, “Hyni nëpër dyert e Tij duke i dhënë lavdi, hyni nëpër oborret e Tija dhe këndoni himne; lavdërojeni dhe bekoni Emrin e Tij.” 1

Ndiqni një plan leximi: Duke pasur një plan leximi në mënyrë që të di se çfarë do të lexoj, më ndihmon të filloj menjëherë. Gjithashtu, para se të filloj, lutem, nëse Zoti do të donte të ndryshoja diçka. 2

Përqëndrohuni: Për t’u përqëndruar në atë që lexoj, kam zbuluar një metodë të dobishme, metodën  B.V.Z.L:

Bibla: Pasi lexoj një fragment nga Bibla, kthehem te ndonjë varg që më ka lënë mbresë dhe e shkruaj në shënimet e mia.

Vrojtimi: Shkruaj një përmbledhje të fragmentit që lexova.

Zbatimi: Shkruaj se si do të mund të ndryshojë dita ime prej asaj që unë lexova, mësimet që duhen marrë, premtimet që duhen bërë, shembujt që duhen ndjekur, etj.

Lutja: Shkruaj një lutje për veten bazuar në atë çka lexova.

[divider icon=”ellipsis-horizontal” style=”none”]

“Mëngjesi mund të mos jetë koha e përshtatshme për të gjithë, por nuk ka rëndësi se çfarë momenti të ditës apo natës zgjedhim. Mund të na bëjë mirë të gjithëve të ndalemi dhe të kalojmë pak kohë me Zotin. Pa të, do të stresohemi dhe do të jemi më të dobët. Por, me të, do të jemi më të përgatitur për t’i bërë ballë çdo sfide që jeta na nxjerr para.


  1. Psalmi 100:4
  2. Kam gjetur disa plane leximi të dobishme për tema të ndryshme në adresën: https://www.youversion.com/reading-plans.