Isha ulur në dhomën e ndenjjes së një shoqeje, kur vura re disa lule të kuqe e thellë në një vazo mbi tavolinën e kafesë. Isha thuajse e magjepsur nga bukuria e tyre, dhe ndërkohë që vështroja këtë krijim të mrekullueshëm, m’u duk sikur dëgjoja zërin e Zotit që më thoshte, Dua që ti të jesh si këto lule.

Kur po reflektoja më vonë për këto fjalë dhe mendoja se sa thjesht duke vështruar një asortiment artistik lulesh mund të na ngrinte moralin dhe të na frymëzonte. I mbajta mend fjalët e Jezusit,  “Vini re si rriten zambakët e fushës: ata nuk lodhen dhe nuk tjerrin; dhe unë, pra, po ju them se Salomoni vetë, me gjithë lavdinë e tij, nuk ishte veshur si ndonjë nga ata.” 1

Nëse zambakët nuk luftojnë, pse ta bëj unë? Ma merr mendja se ndodh kur i heq sytë nga Zoti dhe ndaloj së reflektuari dritën dhe lavdinë e Tij. Filloj të përpiqem t’i bëj gjërat me fuqinë time dhe nxitoj dhe përfundoj pa dashur duke shkuar në drejtimin e gabuar. Gjërat nuk shkojnë më siç shpresoj.

Lulja shkëlqen duke reflektuar lavdinë e Zotit. Ajo butësisht lëkundet me puhizën, duke i buzëqeshur kalimtarëve dhe duke u treguar atyre dashurinë që i ka dhënë Zoti. Lulja nuk është dembele; është vazhdimisht duke punuar të thithë rrezet e diellit dhe t’i transformojë ato në diçka, të cilën mund ta përdorë.

Të jesh në kontakt me Zotin përmes lutjes është thelbësore, nëse je duke u rritur dhe lulëzuar si zambakët në fushë. Dhe sigurisht, shumë lule lulëzojnë për t’u kthyer në frutë! Për të qenë të frytshëm, duhet të gjejmë kohën për të thithur rrezet e diellit të Zotit dhe të lejojmë Shpirtin e Zotit të na polenizojë neve dhe të tjerët. Siç shkroi Timothy Keller në Every Good Endeavor (Çdo përpjekje të mirë), “Mënyra për t’i shërbyer Zotit në punë është të punosh me zemër mirënjohëse, të hareshme dhe të ndryshuar nga ungjilli përmes uljeve dhe ngritjeve, duke kërcyer me erën, dhe duke i buzëqeshur shiut, dhe të sakrifikosh veten që të jetojnë të tjerët.”

* * *

“Lutja me vepra është dashuri, dhe dashuria me vepra është shërbim. Përpiqu të japësh pa kushte çfarëdo tjetri ka nevojë në atë moment. Puna është të bësh diçka, edhe pse të vogël, dhe të tregosh se të intereson përmes veprave, duke i kushtuar kohën tënde. … Ne jemi të gjithë fëmijët e Zotit, ndaj është e rëndësishme të ndash dhuratat e Tij. Mos u shqetëso pse ka probleme në këtë botë, vetëm përgjigju nevojave të njerëzve… Ne ndiejmë se ajo që po bëjmë është thjesht një pikë e vogël në oqean, por ai oqean do të ishte më i vogël pa atë pikë.” — Nënë Tereza (1910–1997)


  1. Mateu 6:28–29