Kur takova Jezusin, jeta m’u bë si një shëtitje me biçikletë. Ishte një biçikletë me dy vende; Unë isha në vendin e parë dhe Jezusi mbrapa duke më ndihmuar të pedaloja.
Nuk më kujtohet se kur ndodhi, por mbaj mend që Jezusi propozoi që të ndërronim vendet. Jeta ime nuk ka qenë më e njëjtë pas asaj shëtitjeje fantastike që më bëri Jezusi.
Kur e kisha unë kontrollin e biçikletës, e njihja rrugën. Ishte rrugë e sigurt dhe mund ta parashikoje por ishte e mërzitshme—gjithmonë largësia më e shkurtër midis dy pikave. Por kur filloi të ngasë Jezusi, Ai i njihte shumë mirë “rrugët shkurt” nëpër pjesë malore dhe tatëpjeta duke ecur me shpejtësi marramëndese. Vetëm duhej të mbahesha fort!
Nuk doja të vija në diskutim gjykimin e Tij, por një herë nuk munda të përmbahem. “A nuk mendon se duhet t’i japësh pak më ngadalë? Kam frikë.” U kthye nga unë, buzëqeshi, më kapi dorën dhe tha, “Mos u shqetëso. Jepi pedaleve.”
Ndonjëherë shqetësohesha dhe më kapte ankthi ndaj e pyesja, “Ku po më çon?”
“Ëshë surprizë,” —thoshte Ai duke qeshur. Gradualisht mësova të kisha besim. E harrova jetën e mërzitshme dhe nisa aventurën.
Ai më çoi të takoja njerëz me dhunti, për të cilat kisha nevojë—dhuntinë e dashurisë, shërimit, pranimit, gëzimit. Ata m’i ofruan këto dhunti që t’i merrja në udhëtimin tim—në udhëtimin tonë, të Zotit dhe timin. Dhe ne niseshim sërish. Ai thoshte, “Dhuroja të tjerëve.” Dhe ashtu bëja. Por, ndodhi gjëja më e çuditshme. Zbulova sesa më shumë dhurata bëja, aq më shumë kisha për vete dhe për njerëzit e tjerë që takonim rrugës. Dhe ngarkesa jonë vazhdonte të ishte e lehtë.
Në fillim nuk i besova Jezusit për t’i lejuar kontrollin e jetës sime. Mendova se Ai do ta shkatërronte atë. Por Ai i njeh mundësitë e biçikletës, limitet dhe manovrat e saj. Ai di si të marrë kthesa të forta me shpejtësi të madhe, ta bëjë biçikletën të “kërcejë” për të shmangur gurët e rrugës, madje Ai mund ta bëjë të fluturojë kur nuk ka rrugë ku të kalojë.
Po mësoj të mos shqetësohem apo që të kërkoj të marr kontrollin, por vetëm të relaksohem e të shijoj pamjen, flladin e ëmbël që më përkëdhel fytyrën dhe shoqërinë e mrekullueshme të shoqëruesit Tim të përhershëm.
Ndodh që lodhem ndonjëherë, sepse është rrugë e gjatë dhe e vështirë, por Jezusi më buzëqesh dhe më thotë, “Jepi pedaleve.”