Jam ulur këtu dhe i kam ngulur sytë anash ekranit të kompjuterit ku kam lënë një prej shënjuesve më të bukur të librave që kam pasur ndonjëherë. Në të ndodhet fotoja e një nëne duke përqafuar një fëmijë të vogël dhe poshtë një thënie nga Charles Dickens: “Nuk është gjë e vogël që ata, të cilët janë kaq të freskët nga Zoti, të na duan.” Kur e lexova këtë thënie, më emocionoi shumë. Vendosa ta përdor atë copëz kartoni për leximin e rradhës. Fatkeqësisht harrova ta ruaj diku dhe mbeti mbi tavolinë—aty ku mund të prekej nga një person shumë i dashur dhe i shkurtër (vajza ime 3-vjeçare).
Ky shënjues është nga ato me tre kënde dhe me një katror të vogël të prerë në majë në mënyrë që të kapet në krye të faqes dhe të mos bjerë. Kur e kuptova se Kimberly e kishte gjetur ishte tepër vonë, ajo e kishte tërhequr dhe pa dashur i kishte këputur një nga cepat.
Sigurisht që ky ishte një veprim i padëmshëm. Nuk kishte pasur si qëllim ta griste; thjesht po përpiqej ta kuptonte çfarë ishte. Por duke qenë se kisha pasur një lidhje shumë të ngushtë me atë send, u merzita. Ia mora copat nga dora dhe i vendosa mënjanë.
Më vonë, pasi Kimberly u fut në shtrat, mora dy copat e kartonit dhe lexova sërish thënien. Papritur, të gjithë atë eksperiencë po e shikoja nga një këndvështrim i ri. A duhej që kjo copëz kartoni të ishte e përsosur që të quhej e veçantë? Mund t’i bashkoja sërish copëzat e do të dukej si e re—ndoshta edhe më mirë se e re, sepse do të kishte diçka që i kishte munguar më parë: faktin që ishte prekur nga ato duar të vogla që i dua pa masë. Tani shenjuesi është dy herë më i veçantë për mua, megjithëse ka edhe letër ngitëse.
* * *
Pasuritë zhduken, rehatia humb, shpresa venitet, por dashuria qëndron me ne. Dashuria është Zot.—Lew Wallace (1827–1905)
Le të përpiqemi të shohim gjërat ashtu siç duhet të jenë; dhe duke qenë se jetojmë në një botë jo perfekte, le të kënaqemi e të krenohemi me atë mospërsosmëri e të shohim ngjarjet e ditës teksa i lënë vendin njëra-tjetrës, derisa të formojnë produktin përfundimtar të një jete të pasur e të mbushur plot—jo thjesht me bukurinë e perfeksionit, por me plotshmërinë e pasur të dashurisë.—Autor i panjohur