India, vendi ku unë jetoj, është një vend i madh, me toka pa fund; male të lartë me maja që kapin qiellin; si dhe lumenj të mëdhenj që rjedhin ngadalë mbi shkëmbinj. Vendi është i qetë siç ka qenë gjithmonë, por njerëzit që jetojnë aty, si në çdo vend të botës, janë shpesh të stresuar.
Dr. Hans Seyle, një shkencëtar i njohur mbi kërkimet mjekësore ka konkluduar: “Në këtë botë që nxiton, po e ekspozojmë veten para shumë streseve. Nxitojmë pa pushim dhe shqetësohemi vazhdimisht.” Fatkeqësisht, shumë njerëz kanë nevojë të mësojnë se si të fitojnë paqen e brendshme.
Një teknikë e shkëlqyer për të kaluar stresin është praktika e qetësisë. Për këtë duhet të shkoni në një vend të qetë dhe të përpiqeni sa më shumë të rrini në qetësi dhe të mos mendoni për probleme. William James (1842-1910) ka thënë se: “të kultivosh fuqinë e qetësisë është po aq e rëndësishme sa dhe vetë fjala fuqi”, kurse Thomas Carlyle (1795-1881) tha se: “Qetësia është elementi në të cilin gjërat e mëdha marrin formë.” Fjala e Zotit këshillon të njëjtën gjë: “Forca juaj qëndron në qetësinë dhe besimin tuaj.” 1
Kohët e fundit lexova një intervistë të një prodhuesi gomash, i cili theksoi se industria e tij nuk arriti të prodhonte goma efikase deri në momentin kur ato u riprojektuan për të pranuar tronditjen e rrugës sesa t’i rezistonin asaj. Edhe ne do të ishim më të suksesshëm po të mësonim të relaksoheshim dhe të lejonim tensionet dhe stresin e jetës të kalonin nëpërmjet nesh e jo të luftonim me to.
* * *
Nëse doni të ruani fuqinë që të përmbushni përgjegjësitë dhe të vazhdoni punën me efikasitet, duhet t’i kushtoni shumë vëmendje atij mekanizmi delikat e të fuqishëm të njohur si personaliteti njerëzor, ashtu siç inxhinierët i kushtojnë vëmendje motorit. Mund të blini një motor tjetër, por ai “motor” që është vetja juaj nuk mund të riprodhohet nëse dështon, dhe stresi është një shkak kryesor i dështimit të tij.—Norman Vincent Peale (1898–1993), ministër dhe autor amerikan
Duhet të gjejmë Zotin, dhe Ai s’mund të gjendet mes zhurmës dhe rrëmujës. Shikoni se si rriten pemët, lulet, natyra në qetësi të plotë. …Duhet të jemi vetëm me Zotin në qetësi në mënyrë që të përtërihemi dhe të ndryshojmë. Sepse qetësia mund të na japë një pikëpamje tjetër për jetën.—Nënë Tereza (1910-1997), themeluese e Urdhrit të Misionarëve të Bamirësisë.
- Isaia 30:15 ↑