Ndonjëherë, na duket sikur gjatë gjithë kohës bota po kthehet në një vend akoma më të errët dhe më të ftohtë. Kur dielli perëndon, ne kërkojmë disa rreze shprese.
Ajo rreze shprese është aty.
Dy mijëra vite më parë, mbi qytetin e Betlehemit, një yll i ri ndriçoi dhe një engjëll u tha një grup barinjsh, “Mos u ndruani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin; sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.” 1 Në atë natë të veçantë, Zoti na fali dhuratën më të madhe që mund të na jepte, Birin e Tij, Jezusin.
Ndonëse Jezusi erdhi në botë si një foshnjë, Ai solli me vete të gjitha dhuratat e mrekullueshme të Zotit. Ndërkohë që rritej, Ai i çmbështolli për ne këto dhurata një nga një, duke na mësuar si ta duam Zotin dhe njëri-tjetrin. Më pas, kur Ai vdiq për ne, Ai na dha dhuratën më të mirë në botë, premtimin e jetës së përjetshme me Të në parajsë.
Jezusi do që të jetojë në zemrat e njerëzve ngado që ndodhen. Ai e sheh mjerimin, hidhërimin dhe dhimbjen e të dëshpëruarve. Ai e dallon të dobëtin, të sëmurin dhe të rraskapiturin. Ai i sheh ata që luftojnë me pendimin e të shkuarës dhe frikën e të ardhmes. Ai e sheh të përndjekurin dhe të torturuarin e luftës, atyre të cilëve u është grabitur shpresa dhe në mundësi e mirë në jetë. Ai i dëgjon britmat tona dhe na afrohet me dashuri. “Zemra juaj mos u trondittë,” na thotë Ai. “Besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua!” 2 “Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën!” 3
Kalofshi ju dhe të dashurit tuaj një Krishtlindje të mrekullueshme të mbushur plot me dashurinë dhe përkujdesjen e Zotit.