Mendoj se një nga gjërat kryesore që më nxit dëshirën të jem sa më afër Jezusit, është dashuria personale që Ai ka për mua.

Ai bën gjëra të veçanta në jetën tonë—ndonjëherë ne i vëmë re e ndonjëherë jo, ose ndonjëherë i vëmë re, por nuk u kushtojmë rëndësinë e duhur. Kjo duhet ta trishtojë, por Jezusi na do shumë dhe nuk dorëzohet. Gjatë gjithë jetës sonë, Ai nuk ndalet së na treguari dashurinë e Tij duke na përsëritur ato dy fjalë të mrekullueshme: Ju dua!

Si adoleshente që isha me një mori emocionesh të fuqishme dhe në vetmi të theksuar, kisha nevojë ta prekja dashurinë e Tij. Një ditë, pashë në anë të rrugës një manushaqe të bukur. Lulja ishte sa thoi im dhe kërcelli sa gishti. E këputa dhe e mbajta me kujdes derisa arrita në shtëpi dhe e vendosa në një gotë plastike mbi komodinin tim. Kaloi një javë dhe ajo vazhdonte të lulëzonte. Isha shumë e lumtur.

Pastaj ndodhi gjëja më e veçantë—një gjë që s’më kishte ndodhur kurrë më parë. Nga kërcelli i vockël i manushaqes, dolën rrënjë të cilat shumë shpejt u rritën dhe u bënë më të forta. E mbolla në një vazo lulesh dhe e pashë të rritej me shumë lule të tjera. U mahnita dhe u binda se Krijuesi im—ai që rriti lulen time nga hiçi—ishte me mua, duke më ndihmuar në kohë të vështira dhe duke sjellur momente gëzimi në jetën time.

Me kalimin e ditëve, muajve, viteve—madje edhe dekadave, kam mësuar ta njoh më mirë dhe ta dua Jezusin nëpërmjet rasteve të panumërta të shprehjes së dashurisë së Tij. Shumë prej tyre mund të duken të parëndësishme krahasuar me ndryshimet dhe mrekullitë që ka nevojë bota, por ato kanë ndryshuar botën time. Ai më ka treguar se unë jam e rëndësishme për Të, dhe në shkëmbim Ai ka fituar dashurinë time përgjithmonë. Siç shkroi dhe apostulli Gjon, “Ne e duam Atë sepse Ai na deshi i pari.” 1


  1. 1 Gjonit 4:19