Nuk më pëlqen i ftohti, acari, dimri me borë. Kjo është një arsye madhore pse isha i lumtur kur jetoja në Meksikë për shumë vite. Por tani, unë dhe bashkëshortja ime jetojmë në Kanada dhe dje ra dëborë. Në këtë periudhë të vitit është herët për të rënë borë dhe ato ishin flokë të lehtë që nuk qëndronin, por ishin paralajmërim i asaj që do të ndodhte më pas. Gjatë natës temperaturat kanë qenë nën zero dhe jo shumë mbi zero gjatë ditës. A e thashë që s’më pëlqen dimri?
Paralajmërimi është i nevojshëm, por pyes veten se ndoshta në këto raste thjesht po vuaj sot diçka që do më duhet ta përballoj nesër. Dhe kjo është komplet e kundërta e asaj që thotë Bibla. “Mos u shqetëso për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë shqetësimet e saj,” – u tha Jezusi dishepujve të Tij. “Çdo ditë ka mjaftueshëm telashet e veta.” 1 Kjo s’do të thotë të mos përgatitesh për të ardhmen, por ama do të thotë se nuk duhet t’i lëmë shqetësimet për gjërat e këqija që mund të ndodhin nesër, të na prishin ditën e sotme.
Apostulli Jakob thoshte se e nesërmja nuk duhet marrë në konsideratë. “Ejani, Ju që thoni ‘Sot ose nesër ne do të shkojmë në këtë qytet dhe do të qëndrojmë atje një vit, do të vazhdojmë biznesin tonë dhe do të bëjmë para.’ Ju nuk dini ende as [gjënë më të vogël] rreth asaj që mund të ndodhë nesër. Ç’lloj jete bëni? Ju s’jeni gjë tjetër veçse avull, (një duhmë tymi, mjegull) që duket për pak çaste dhe pastaj zhduket e humbet [në ajër].” 2
Unë mund të mos jem nesër e të mos flasim pastaj për dimrin. Jam si Mark Twain që tha: “Unë jam një burrë i vjetër dhe kam parë shumë telashe, shumica e të cilave nuk ndodhën kurrë.”
Dhe vërtetë, nëse mendoj kështu, të kesh durim nuk është dhe aq e vështirë. Nëse i marr gjërat siç vijnë, ditë pas dite, çdo ditë që kalon është një shqetësim më pak. Nëse ia dal një ditë, nuk do më duket e vëshitrë t’ia dal edhe ditën tjetër. Ndaj, kur pas pak muajsh bora të arrijë deri tek dritarja, kjo do të thotë thjesht që është kulmi i dimrit dhe se shumë shpejt do të mbarojë.
Do të mbijetoj. Ndoshta mund të mësoj të bëj dhe ski.