Ndërsa nxitoja nëpër rrugët e Morelias, Meksikë, semaforët ishin të mbushur me lypës. Ishte nata e Krishtlindjes dhe unë kisha dalë me vajzën time 10-vjeçare Ketin për disa pazare të minutës së fundit.
“Shikoje atë!” Keti më tërhoqi vëmendjen te një grua e moshuar që kishte ndaluar së lypuri për një çast dhe po fërkonte këmbët e saj të ftohta dhe të zbathura.
“Ajo është gjyshja e dikujt,” mendova me zë të lartë, “por në vend që të jetë në shtëpi me familjen e saj, ajo është këtu me këmbët e saj zbathur, duke u përpjekur të mbledhë pak para për ushqim.” Pastaj më ra ndërmend një ide. “Keti, le të shkojmë në shtëpi dhe të marrim pak ushqim për të.”
Tashmë ishte duke u errësuar, kështu që ajo ndoshta nuk do të punonte dot më gjatë me aq dritë. Ne vrapuam për në shtëpi, gjetëm disa qese të forta dhe filluam të kalonim nëpër qilarin dhe frigoriferin tonë të furnizuar mirë. Oriz, fasule, jalapeños të thata, një kavanoz salsa, tortilla misri, një pulë e gatuar. Ishte e lehtë të mbushnim qeset nga bollëku ynë. Një copë bukë, reçel, proshutë. I lidha qeset me lidhëse të mëdha dhe u nisëm për të gjetur plakën.
Në fillim menduam se u vonuam dhe se ajo do të ishte larguar. Më pas e pamë duke ecur ngadalë në rrugë, me shallin e mbështjellë fort rreth saj, ndoshta duke u kthyer për në shtëpi.
“Përshëndetje!” Keti e përshëndeti dhe vazhdoi të fliste në spanjisht. “Të pamë te shtylla e dritës dhe të sollëm ushqim për darkën e Krishtlindjes. Shpresojmë që ju dhe familja juaj të ndjeni dashurinë e Zotit këtë Krishtlindje.”
Plaka na pa me habi dhe i rrodhën lotët. Pastaj ajo kapi Ketin nga duart dhe i puthi ato. “Faleminderit. Faleminderit. Zoti ju bekoftë. Qenke shumë e bukur. Je një engjëll i Krishtlindjes.”
Ajo mori qeset dhe vazhdoi rrugën.
Mbrëmja jonë e Krishtlindjeve ishte festive, si zakonisht, dhe të nesërmen në mëngjes Keti hapi dhuratat e saj. Kur e pyeta nëse po e kalonte mirë Krishtlindjent, ajo u përgjigj: “E di, mami, duke e parë atë plakën aq të lumtur mbrëmë dhe duke më puthur duart, ishte dhurata më e mirë që mora për Krishtlindje. Mendoj se dhurimi është pjesa më e mirë e Krishtlindjes!”