Gjatë 12 viteve të fundit, kam punuar si kontraktuese e pavarur për një projekt që e kisha me shumë pasion. Falë disa ndryshimeve të kohëve të fundit, ky projekt u anulua. Unë ndiej zbrazëti, si një vrimë në stomakun tim, dhe jam munduar të kuptoj çfarë do të ndodhë tjetër.
T’ju them të drejtën, nuk e di ende.
Por i di nja dy gjëra…
Pothuajse katër vite më parë, ish-administratori i pallatit tim doli në pension, duke e lënë vendin e punës të lirë. Banorët punësuan një administrator të jashtëm, por pas një periudhe të shkurtër kohore, ne ishim të pakënaqur me të dhe me mënyrën se si ai punonte. Duke qenë se nuk gjetëm askënd që ta zëvendësonte, unë dola vullnetare ta bëja punën e tij përkohësisht, dhe e kam marrë përsipër punën që atëherë. Madje, edhe studiova dhe ndoqa një kurs për administrimin e pronave. Fillimi i një karriere të re sfiduese me kohë të pjesëshme në moshën 52 vjeçare ishte paksa e frikshme, dhe ndonjëherë ende e pyes veten se çfarë po bëj… por më pëlqen shumë.
Vitin e shkuar, më doli një mundësi e mrekullueshme për të punuar në fushën e ushqimit. Kështu që përsëri studiova dhe punova vërtet shumë në karrierën time të re dhe të dytë. Tani, i ndihmoj njerëzit jo vetëm me mirëqenien dhe mbajtjen në formë, por edhe në mënyrë shpirtërore, duke u lutur për ta, duke i inkurajuar, dhe duke vendosur veten në vendin e tyre në mënyrë që t’i kuptoj akoma më mirë.
Gjatë muajve të fundit, kam punuar tek të dyja punët si dhe në projekte të pavarura, dhe kam mësuar shumë rreth organizimit të mirë, menazhimit të kohës, dhe rreth afrimit me Zotin, duke i kërkuar udhëheqje, edhe për çështjet më të thjeshta.
Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të përfundoja duke bërë gjithë këto aktivitete, por ndiej se është Zoti duke rregulluar gjithçka në prapaskenë, ndërsa unë thjesht duhet të punoj. Kështu që tani, kur ndiej këtë zbrazëti në stomak, i kujtoj vetes mundësitë që Zoti më ka dhënë dhe se si Ai më ka hapur gjithmonë dyer më të mira, më të përshtatshme kur dyer të tjera mbylleshin.
Nuk e di nëse do t’i arrij të gjitha synimet e mia, por jam e qetë, sepse e di se kush është me mua, ndërkohë që plotësoj synimet e Tij.