U mbështeta në ndenjësen time dhe prita të niseshim. Shpina më dhembte dhe gjymtyrët i kisha ende të mpira nga pesë orë udhëtim me makinë drejt aeroportit dhe dy orë transiti i parë për t’u kthyer në shtëpi. S’e kisha fare me qejf të udhëtoja edhe pesë orë të tjera në një ndenjëse të vogël të klasit ekonomik.
Mendja më shkoi tek ime bijë, e cila nuk ka mbushur ende 18 vjeçe, që e çova të jetonte te vëllai i saj i madh për disa kohë. Sa do t’ia ndieja mungesën! Ishte hera e parë që ajo largohej nga shtëpia, dhe zemra më dhembte nga mendimi se nuk do ta kisha pranë. E njihja mirë këtë ndjesi. Ajo ishte e pesta nga gjashtë fëmijët tanë që largohej nga shtëpia. Mendova, duhet të mësohem me këtë. Por e njëjta ndjesi e zbrazët filloi të më kaplonte. Lotët po më digjnin sytë, por unë isha i vendosur që të mos i dorëzohesha emocioneve.
Teksa aeroplani po ngrihej në pistë, mbylla sytë dhe ia kushtova zemrën Jezusit, duke i kërkuar Atij të kem një udhëtim të sigurt dhe ta mbajë vajzën time të dashur dhe pjesën tjetër të fëmijëve të mi të sigurt në kujdesin e Tij. E falënderova që ishte përkujdesur gjithmonë. Zëri i Tij i ulët i pëshpëriti zemrës sime se gjithçka do të ishte mirë me time bijë, njësoj siç kishte qenë me katër vëllezërit e saj më të mëdhenj, që u larguan nga shtëpia para saj.
Aeroplani u ngrit, fitoi lartësi dhe më pas ekuilibër.
Paqja më pushtoi teksa dëgjova fjalët ngushëlluese e Zotit dhe m’u kujtua se si Ai kurrë s’më kishte refuzuar lutjet për fëmijët tanë. Lotët e mallit u kthyen në lot mirënjohjeje teksa e falënderoja për besnikërinë e Tij dhe ngushëllimin që më ofronte.
Kur i hapa sytë, pashë që një grua dhe një vajzë e vogël rreth 3 vjeçe ishin zhvendosur në ndenjëset ngjitur me timen, të cilat ishin të lira gjatë ngritjes së aeroplanit. Edhe pse, desha ndenjëse bosh afër, në mënyrë që të shtriqesha, e kuptova që stjuardesa me shumë gjasë, ka ndier se ato kishin nevojë për hapësirë.
Pashë nënën teksa përpiqej të qetësonte të bijën, e cila ishte e lodhur, e përgjumur dhe po grindej. I ofrova gruas jastëkun tim dhe një batanije shtesë për t’ia vendosur vajzës në kokë. Me një shikim mirënjohës, ajo më shpjegoi se kishin tetë orë që udhëtonin. Shumë shpejt, vajzën e vogël e zuri gjumi, gjysma e trupit në ndenjësen e saj dhe gjysma në prehrin e së ëmës.
Na u shërbye një vakt, biseduam nga pak, stjuardesa mblodhi tabakatë dhe gruaja u përpoq të pushonte pak. Disa minuta më vonë, unë vura re një lot që rrodhi në fytyrën e saj, më pas, një lot tjetër. Ajo u përpoq t’i fshinte përpara se të mund t’i shikoja, por para se ta kuptoja e kisha parë tashmë dhe ajo më dhuroi një buzëqeshje të ndruajtur.
“Je mirë?” e pyeta.
“Po, po,” tha ajo. Por lotët vazhdonin t’i dilnin.
Preka butësisht krahun e saj. “Mund të bëj ndonjë gjë për ty?”
Pas një përpjekjeje të guximshme për ta mbledhur veten, ajo shpjegoi se sapo e kishte çuar djalin e saj 16 vjeçar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të studiuar. Ajo kishte edhe shtatë fëmijë të tjerë, por ai ishte më i madhi dhe i pari që largohej nga shtëpia. Ajo ia ndiente që tani mungesën.
E pashë me habi. Ja ku isha, e ulur ngjitur me një grua, që ka përjetuar fiks të njëjtat emocione që unë kisha vetëm disa minuta më parë, duke menduar për vajzën time të dashur.
Ia kapa dorën dhe i thashë që e kuptoja shumë mirë. I fola për vajzën time dhe ndava me të mendimet ngushëlluese që Zoti më kishte pëshpëritur në zemër vetëm pak kohë më parë. Ajo më dëgjoi me vëmendje dhe buzëqeshi mes lotëve, kur i thashë se mund të lutemi për fëmijët tanë dhe më pas, t’ia besojmë Zotit, që të kujdeset Ai për ta.
Pas ndarjes, e falënderova Jezusin për fluturimin e sigurt dhe për mënyrën e përsosur se si Ai i projekton gjërat. Unë besoj se ai planifikoi ato ndryshime në uljen e pasagjerëve në aeroplan, që unë t’i kaloja fjalët dhe ngushëllimin e Tij dikujt tjetër. Ai donte të na ngushëllonte të dyjave.